Ministri i Jashtëm i Austrisë viziton Shkodrën, sheh nga afër investimet austriake në këtë qytet

Shkodër, 8 tetor NOA-Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger ka vizituar pasditen e sotme kryeqytetin e veriut, Shkodrën.
Diplomati austriak u ndal në shkollën e mesme profesionale austriake për teknologji informacioni Peter Mahringer, e hapur tre vite më parë në qytetin verior.
I shoqëruar nga Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Florian Rauning, konsulli austriak në Tiranë Martin Kramer, dhe drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore në qarkun e Shkodrës, Ministri i Jashtëm Austriak ka vlerësuar kushtet bashkëkohore të mësimdhënies të kësaj shkolle ku mësojnë 120 nxënës.
Pas vizitës në shkollën "Peter Mahringer, Ministri i Jashtëm i Austrisë Michael Spindelegger ka vizituar dhe biblioteken austriake në Universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës si dhe disa investime të tjera austriake në këtë qytet.