Një vend pa mina,seminar nga përfaqësues të BE

Në një seminar rajonal për një "Europe Juglindore të Pastër nga Minat", i organizuar edhe me mbështetjen e Bashkimit Europian janë paraqitur me shifra të gjitha të dhënat për zonat e pastruara nga minat në vendin tonë. Sipas programit shqiptar të veprimit ndaj minave mësohet se nga Forcat e Armatosura Shqiptare në vitin 1999 janë evidentuar 102 fusha të minuara, pikërisht në këtë vit ku ka nisur edhe lufta në Kosovë. Sipas këtij programi në veri të vendit janë prekur nga minimi 39 fshatra në Kukës, Has dhe Tropojë. Po nga viti 1999 kanë ndodhur 210 aksidente në të cilat 238 persona janë plagosur dhe 34 të tjerë kanë humbur jetën. Pikërisht këto të dhëna janë paraqitur ditën e enjte në këtë seminar ku ka marër pjesë zv.ministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina si dhe përfaqësues të lartë nga shtetet e prekura nga minat në Europën Juglindore. Madje në këtë seminar kanë qenë të pranishëm edhe të aksidentuar nga minat dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare. Ky seminar do të mbyll programin e tij më 9 tetor.