Ministri i Jashtëm i Kosovës Hoxhaj vizitë në Tiranë

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ndodhet për një vizitë dyditore në Tiranë me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme shqiptare, takimi mes dy minitrave të Jashtëm do të zhvillohet sot paradite në orën 9.00 ndërsa më pas, të dy ministrat do të nënshkruajnë edhe marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në Fushën e Përfaqësimit Konsullor.
Gjatë vizitës në Tiranë, Ministri kosovar Hoxhaj do të takohet sot me Presidentin e Republikës Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, si dhe Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.
Vizita e Ministrit Hoxhaj vjen një ditë para se lëvizja “Vetëvendosja” të ndërmarrë aksionin e paralajmëruar për nesër për bllokimin e kufirit me Serbinë në Merdare dhe Dheu i Bardhë. Më 11 janar Albin Kurti kreu i kësaj lëvizjeje nga Tirana u bëri thirrje qytetarëve të Shqipërisë që të mbështesin nismën e saj për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë. Vetëvendosja ka bërë të ditur se do të qëndroj ditë e natë në këto pika deri në fillimin e zbatimit të masave të reciprocitetit.
Qeveria e Kosovës e quan kundër-kushtetuese dhe akuzon Vetëvendosjen se do të marrë pushtetin me dhunë. Kryeministri Thaçi tha se nuk do të lejohet përsëritja e janarit të vitit të kaluar të Tiranës edhe në Prishtinë.
Ndërkohë në deklaratën për shtyp, ministria e Jashtme e Shqipërisë sqaron se veprime të tilla, si imitim i politikave ekstremiste serbe, nuk kanë asgjë të përbashkët me sakrificat dhe përpjekjet kontruktive mbarëshqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe të një shoqërie multietnike, të një shteti që ndërton dhe zhvillon marrëdhënie të mira me fqinjët, në shërbim të paqes e stabilitetit në Kosovë e rajon.