E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha priti ambasadorin e Katarit, në përfundim të detyrës

Kryeministri Berisha prit sot në një takim lamtumire, ambasadorin e Katarit, Soltan Saad Al- Moraikhi, me rastin e përfundimit të misionit të tij në vendin tonë.
 

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha e falenderoi ambasadorin Moraikhi për kontributin e rëndësishëm që ai ka dhënë gjatë kësaj periudhe, në konsolidimin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe qeverive, si dhe forcimin e bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy popujve.
 

Ambasadori Moraikhi e falenderoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mbështetjen që ai personalisht dhe qeveria shqiptare i dhanë misionit të tij dhe forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, qeverive dhe popujve.
 

Ambasadori Moraikhi i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet e Lartësisë së Tij Emirit të Katarit Sheikut Hamad bin Khalifa AL THANI dhe Kryeministrit të Katarit Sheikut Hamad bin Jasim bin Jabir AL THANI
 

Në takim u vlerësuan zhvillimet e rëndësishme në marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, të cilat kulmuan me vizitën e suksesshme te Emirit te Katarit në Tiranë gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, si dhe u rikonfirmua vullneti dhe angazhimi i të dy vendeve dhe qeverive për të kthyer në histori suksesi të gjitha projektet e bashkëpunimit, në fusha me interes të ndërsjellë mes dy vendeve.
 

Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ti përcjellë kryeministrit të Katarit Sheikut Hamad bin Jasim bin Jabir AL THANI dhe Emirit të Katarit Sheikut Hamad bin Khalifa AL THANI përshëndetjet më të përzemërta si dhe shtroi një drekë për nder të ambasadorit të katarit Moraikhi, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›