Ministri i Jashtëm i Serbisë, të hënën viziton Tiranën

Ivan Mrkic, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, ka paralajmëruar një vizite zyrtare në Tiranë.Ministri i Jashtem serb ka bere me dije se të hënën do të jetë në Shqipëri, ndërsa vlen të theksohet fakti se kjo është e para vizitë e një shefi të diplomacisë serbe në Shqipëri, pas shumë vitesh. Lajmi është raportuar nga mediat serbe, ku sipas tyre të martën Mrkic do të takohet me homologun e tij shqiptar, Edmond Panariti.
“Nesër do të shkojë në Tiranë. Shumë vjet atje nuk ka shkuar ministër serb i Jashtëm. Me siguri do të krijojmë bazat për bashkëpunim më të mirë”, tha Mrkic, për gazetën serbe “Politika”.
Po sipas mediave serbe, shefi i diplomacisë së Serbisë do të ketë një vizitë të gjerë, në shumicën e vendeve të rajonit.
Ndërkaq i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Aleancës Kuq e Zi, ku teksa ka akuzuar qeverinë për mbajtje të fshehtë të vizitës, kanë paralajmëruar se do ta presin me protesta takimin mes Mrkic dhe kryeministrit Berisha.
“Qeveria shqiptare prej nje jave fshehu vizitën e Ivan Mrkic. Do presim me protesta takimin mes Mrkic dhe kryeministrit Berisha.Damir Fazllic ndërmjetësoi për vizitën e Ministrit serb. Marrëdhëniet me Serbinë duhet të kushtëzohen. Serbia nuk ka njohur ende Kosovën, Ministri Mrkic të kërkojë falje”thuhet në deklaratën e AK-së.