Gjykata e Tiranës lë në burg Asllan Patriotin
Kërcënoi shtetasin italian
Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurimit personal arrest me burg për ish-koordinatorin e grevës së urisë së disa ish të përndjekurve, Asllan Patrioti, nën akuzë për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Gjatë masës së sigurisë, prokurorja e çështjes Daniela Sula deklaroi si prova kundër Patriotit, mesazhet telefonike të nisura në adresë të shtetasit italian, Masimiliano Nikolini, i cili dyshohet të jetë kërcënuar e shantazhuar nga i akuzuari, për shumën e 700 eurove, si shpërblim për makinën e gjetur nga policia të shtetasit italian, që në këtë rast është edhe kallëzuesi.
Gjithashtu, prokurorja referoi në gjykatë edhe disa transkripte nga përgjimi ambiental, faktin e shumës prej 700 euro në xhepin e të akuzuarit, numrat e serisë së të cilave ishin regjistruar nga organi i hetimit përpara se të dorëzoheshin. I akuzuari përmend në bisedat e tij me italianin Nikolini, se shuma e parave i duhej për t’ja dorëzuar një shefi policie, i cili sipas tij kishte kontribuar në gjetjen e automjetit të humbur që në muajin qershor. Por ky fakt sipas Prokurorisë nuk ka ndodhur, pasi i dyshuari nuk ja ka dorëzuar paratë zyrtarit që përmend gjatë përgjimit ambiental.
“Nuk u mor asnjë provë dhe për çdo gjë u besua deklarata e shtetasit italian. Edhe ajo ishte e tillë që nuk i duhej besuar, sepse këta të dy kanë pasur edhe një marrëdhënie bisedimesh mes tyre”, thotë avokati mbrojtjes Irfan Aliu.
Asllan Patrioti u arrestua pak ditë më parë pas një denoncimi të shtetasit italian, M. N., i cili kërcënohej dhe shtantazhohej nga Patrioti, për shumën e 700 eurove.