E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtem reagon per zhvillimet ne rajon dhe ceshtjen came

Diplomacia shqiptare po ndjek me vëmendje të gjitha ngjarjet e ditëve të fundit në rajon. Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, në një prononcim për mediat, u ka bërë thirrje faktorëve në Maqedoni të mos keqpërdorin ngjarjen më të fundit, pas vrasjes së 5 shtetasve maqedonas.
“Ne po i ndjekim me shumë vëmendje të gjitha këto zhvillime. Së pari, duhet të rishpreh ngushëllimet e mia për atë që u ka ndodhur familjeve të qytetarëve, që janë gjetur të vrarë në Maqedoni. Gjithashtu, them se në këto momente është e nevojshme të ketë një qetësi nga ana e të gjithë faktorëve. Është e rëndësishme t’i japim mundësi hetimit të plotë të kësaj çështjeje dhe të mos lejojmë aspak të bëhen keqinterpretime, apo manipulime politike e mediatike përsa i takon kësaj ngjarje. Kërkohet një hetim i plotë dhe pas hetimit, fajtorët të vihen para ligjit”-tha Haxhinasto.
Haxhinasto ka deklaruar gjithashtu se rritja e tensioneve në Mitrovicë nuk i shërben askujt. “Veriu i Mitrovicës, gjithashtu është një situatë, të cilën ne po e ndjekim. Rritja e tensioneve nuk i shërben askujt. Sigurisht jemi gjatë një procesi zgjedhor në Serbi dhe uroj që këto tensionime të mos jenë në funksion të zhvillimeve zgjedhore atje”-theksoi ministri i jashtëm.
Nga ana tjetër, ai theksoi se diplomacia shqiptare po bën të gjitha përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e komunitetit çam.
“Unë dua të siguroj edhe njëherë tjetër se çështja e të drejtave të shqiptarëve, është çështja madhore, kryesore e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Përsa i takon zgjidhjes së problematikës që thoni ju, ne jemi në komunikim intensiv, po bëjmë përpjekjet maksimale që të zgjidhet gjithë problematika që ka të bëjë me komunitetin çam, me të drejtat e tyre legjitime, me të drejtat e tyre të lëvizjes, me të drejtat e tyre të pronësisë, pra të gjithë të drejtat e tyre legjitime”-përfundoi shefi i diplomacisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›