E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm spanjoll Moratinos: Asnjë vend tjetër nuk ka njohur ndryshime kaq impresionuese, në një kohë kaq të shkurtër, sa Shqipëria

Kryeministri Berisha priti në një takim të ngrohtë Ministrin e jashtëm të Spanjës, zotin Miguel Angel Moratinos.

Ministri i Jashtëm Moratinos falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, duke u shprehur se gjente një Shqipëri rrënjësisht të ndryshuar nën lidershipin e Kryeministrit Berisha, duke shtuar se admironte punën e Kryeministrit Berisha për të modernizuar dhe zhvilluar vendin.

Gjithashtu, ministri Moratinos i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e ngrohta të Kryeministrit Zapatero, si dhe ftesën e tij për një vizitë zyrtare në Spanjë, në momentin më të parë të mundshëm në axhendën e Kryeministrit Berisha.

Ministri Moratinos u shpreh se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë shumë të mira dhe veçanërisht, në vitet e fundit, këto marrëdhënie dhe bashkëpunimi dypalësh janë ngritur në një nivel më të lartë. Projektet e përbashkëta të bashkëpunimit po implementohen me sukses në Shqipëri, falë punës me seriozitet të qeverisë shqiptare. Asnjë vend tjetër nuk ka njohur ndryshime kaq impresionuese, në një kohë kaq të shkurtër, sa Shqipëria, u shpreh ministri Moratinos.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi ministrit Moratinos mirëseardhjen, i shprehu mirënjohjen më të thellë për mbështetjen që Spanja i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në integrimin në NATO dhe në procesin e integrimit në BE, si dhe në përkrahjen për zhvillimin dhe modernizimit të vendit përmes shumë projekteve të frytshme të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Ministri Moratinos tha se shqiptarët do të jenë qytetarë të Bashkimit Europian dhe se Spanja mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE. Shqipëria, nën lidershipin tuaj, tha zoti Moratinos, ka arritur suksese të mëdha në reforma të rëndësishme për vendin, ndaj ajo e meriton plotësisht mbështetjen e Spanjës për integrimin në BE.

Biseda u ndal gjithashtu në marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, ku ministri Moratinos u shpreh se ato do të zhvillohen edhe më tej dhe se kompani lider në Spanjë kanë shprehur interes për të investuar në Shqipërisë.

Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të mbështesë investimet spanjolle në Shqipëri, duke garantuar se ato do të jenë një histori suksese në të gjitha fushat, ku Shqipëria ofron potenciale të mëdha si në energji, turizëm, teknologjinë e informacionit, në bujqësi, veçanërisht në projektin e madh të ullirit, në fushën e arsimit, të kulturë etj.. 

Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend, Kryeministri Berisha tha  se qeveria shqiptare po ndërmerr të gjitha masat dhe po bën çdo përpjekje dhe është e sigurt për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje me standardet.


20/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›