Kryetarja e Kuvendit takon Ministrin e Jashtëm të Spanjës Moratinos: Progresi i shpejtë i Shqipërisë, tregues i reformave të mëdha.
"Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara. Ne shohim ndryshimin, progresin, evoluimin e vendit tuaj, ku gjithçka po ecën shpejt e në rrugë të mbarë, tha sot Ministri i Jashtëm i Spanjës, zoti Miguel Moratinos në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Ministri Moratinos u shpreh se marrëdhëniet mes dy popujve dhe dy vendeve janë shumë të mira dhe Spanja do të jetë krah Shqipërisë për të ardhmen e saj sa më të afërt në BE.
Zoti Moratinos tha se përafrimi i Shqipërisë me BE-në, pas kërkesës për statusin e vendit kandidat mbështetet plotësisht nga Spanja, e cila merr presidencën e rradhës së BE-së në fillim të vitit të ardhshëm.
Ai theksoi se reformat e bëra në Shqipëri vitet e fundit, si reformat fiskale, reformat ligjore, reformat në shërbim të qytetarëve, kanë ndikuar dukshëm në transformimin e shpejtë të Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se mbështetja e Spanjës në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO, por edhe në rrugën drejt BE-së është shumë e rëndësishme.
Qeveria dhe Parlamenti në këto katër vite kanë realizuar reforma të jashtëzakonshme ligjore dhe ekonomike që jo vetëm kanë ndryshuar realitetin dhe imazhin e Shqipërisë, por kanë përshpejtuar rrugën e anëtarësimin në familjen Euro-Atlantike, tha Kryetarja e Kuvendit.
Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme, Kryetarja e Kuvendit tha se Ndihem shumë mirë që kemi një kod elektoral dhe institucione zgjedhore të miratuara me konsensus, një infrastrukturë moderne zgjedhore të realizuar për herë të parë dhe kemi të gjithë vullnetin për të bërë zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka pasur".
Duke u ndalur në prioritetet e politikës së jashtme, Kryetarja e Kuvendit tha se liberalizimi i vizave është në fokusin kryesor, pasi shqiptarët meritojnë të lëvizin të lirë pas shumë vitesh izolim.
Ministri Moratinos konfirmoi se Spanja mbështet plotësisht këtë ambicie të politikës dhe qytetarëve shqiptarë duke garantuar përkrahjen e vendit të tij për realizimin sa më të afërt të liberalizimit të vizave.
Duke vlerësuar punën dhe veprimtarinë e Kryetares së Kuvendit, zoti Moratinos shprehu dëshirën për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe dy vendeve tona, jo vetëm në marrëdhëniet politike, por edhe në ato ekonomike e në fusha të tjera në interes të përbashkët të dy vendeve.
Kryetarja e Kuvendit i përcolli përmes Ministrit Moratinos përshëndetjet e përzemërta Kryetarit të Senatit dhe të Parlamentit të Spanjës, duke shprehur dëshirën që ata të vijnë në një kohë sa më të afërt për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Kryetarja e Kuvendit i përcolli përmes Ministrit Moratinos përshëndetjet e përzemërta Kryetarit të Senatit dhe të Parlamentit të Spanjës, duke shprehur dëshirën që ata të vijnë në një kohë sa më të afërt për një vizitë zyrtare në Shqipëri.