E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Shëndetësisë Kosova anulon tenderat e Tavos në QSUT

TIRANE – Nga kontrollet e fundit që janë kryer në institucionet shëndetësore, veçanërisht në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, është konstatuar një abuzim prej 2.4 miliardë lekësh, tendera të kryera në masën më të madhe për blerje medikamentesh. Kjo u bë e ditur nga ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, i pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetit Publik, organizuar nga Instituti i Shëndetit Publik.

"Nga të dhënat e para ka abuzime. Jemi të vendosur t’i shkojmë kësaj çështje deri në fund. Çdo abuzues do të përgjigjet në organet përkatëse konform ligjit”, - tha Kosova për mediat, duke premtuar ndryshim të situatës brenda kësaj jave. Pacientët, sipas tij, nuk mund dhe nuk duhet të vuajnë pasojat e tenderave për të pasur ilaçe.

"Që prej ditës së nesërme, do të fillojnë prokurimet, por natyrisht nuk do të përdoren më ato çmime barnash që ishin përcaktuar më parë, të cilat devijonin deri në 5 fish nga lista bazë e medikamenteve. Ka pasur devijime në fondet publike, të dhëna për shëndetësinë dhe keqmenaxhim të institucioneve, veçanërisht QSUT", u shpreh Kosova, sipas të cilit, ky institucion i rëndësishëm shëndetësor është në këtë gjendje për shkak të keqmenaxhimit të kësaj natyre.

Sa i takon debatit të fundit lidhur me procesin e zgjedhjes së shefave të shërbimit në QSUT, Kosova tha se do të respektojë vendimet e qeverisë për këtë proces, duke pasur në themel transparencën.

Kosova u tregua kritik edhe me disa të meta të tjera në fushën e shëndetit publik, ndër të cilat edhe zbatimi i ligjit antiduhan dhe alkool, që, sipas tij, nuk ka mirëfunksionuar.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›