Ministria: Nuk kemi letër që tu dërgojmë faks kolegëve grekë
Shteti grek ka vendosur në mënyrë arbitrare që të bllokojë 22 linja autobusësh që operojnë nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas. Vendimi ka sjellë revoltën e kompanive shqiptare dhe më shumë se 150 persona kanë protestuar përpara Ministrisë greke të Transporteve. Në këtë moment ka arritur një vendim i Gjykatës Administrative në Athinë, që e quan arbitrar ndalimin e kompanive shqiptare, duke dhënë dhjetë ditë afat që Ministria e Transporteve në Greqi të nxjerrë një vendim të qartë për këtë çështje. Por përfaqësuesit e kompanive shqiptare druhen se vendimi do jetë kundër tyre.
Pronari i Osumi Travel, Ali Dyrmishi, duke folur për GSH, thotë se ka shumë shanse që kompanitë shqiptare të bllokohen përfundimisht, pasi një kompani greke, KTEL Janina, me lidhje të forta në qeveri po lobon për ti nxjerrë ata nga tregu.
Dyrmishi paralajmëron protesta dhe bllokim të Kakavijës nëse shteti shqiptar nuk ndërhyn.
E meqë bie fjala tek shteti shqiptar, ai thotë se ka ndodhur një skenë për të qeshur e për të qarë. Ministria jonë e Transporteve u ka thënë se nuk komunikojnë dot me homologët grekë pasi nuk kanë letër për faks…