Hyn në fuqi ligji për importin e plehrave, gati importi i 4500 tonëve nga vendet e BE-së
Nga dita e djeshme importi i mbetjeve ka filluar ligjërisht. Përgjatë një viti në vendin tonë do të importohen 4500 ton mbetje urbane nga vendet e Bashkimit Europian.
Shefi i Sektorit të Mbetjeve në Ministrinë e Mjedisit, Vladimir Bezhani shprehet për Shekullin se do të kryhen trajnime për doganierë të ndryshëm dhe se i gjithë procesi do të jetë i kontrolluar.
Sigurisht që ky proces është krejtësisht i monitoruar. Së pari, Ministria e Mjedisit jep leje për lejimin e importit të mbetjeve vetëm për ato kompani që kanë garantuar një teknologji bashkëkohore dhe që kanë strategji të qarta se çdo të bëhet me ato mbetje që ato importojnë. Ne kërkojmë dhe vlerësimin e ndikimit të mjedisit të përpunimit të këtyre mbetjeve dhe vetëm pasi ato të jenë në bazë të standardeve ndërkombëtare miratojmë lejen, që më pas i kalohet për aprovim Këshillit të Ministrave. Gjithashtu për importin e tyre bashkëpunojmë me institucionet homologe të vendeve përkatëse, të cilat i plotësojnë dokumentet në bazë të konventave ndërkombëtare. Dhe vetëm pasi të plotësuar këto kritere, do të lejohet importi i tyre në dogana, pohon Bezhani.
Importi i plehrave nga vendet e BE-së do të bëhet në rrugë tokësore dhe detare.
