Ministria, apel qytetarëve: Pajisuni me letërnjoftime!
Ministria e Brendshme u ka bërë sërish apel dje shqiptarëve që të pajisen me kartat e identitetit. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, zëdhënësi i kësaj ministrie ka theksuar se të gjithë qytetarët të cilët nuk kanë pasaportat për udhëtim jashtë vendit të paraqiten pranë zyrave të bashkive dhe komunave për t‘u pajisur me letërnjoftimin elektronik. Sipas Ministrisë së Brendshme, nëse një qytetar nuk disponon as pasaportën për udhëtim jashtë vendit dhe as letërnjoftimin elektronik, atëherë ai nuk do të mundet të votojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. "Të gjithë ata persona që nuk kanë pasaportë dhe nuk do të kenë marrë letërnjoftimin elektronik deri më datën 15 prill 2009, do të kenë të gjitha sanksionet e parashikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe nuk do të marrin asnjë shërbim publik nga institucionet shtetërore", thuhet në deklaratën e ministrisë. Gjithashtu, Ministria e Brendshme u ka kërkuar kryetarëve të bashkive dhe komunave në vend dhe punonjësve të policisë në komunitet të kontaktojnë dhe lajmërojnë të gjithë ata qytetarë që nuk kanë pasaporta, për t‘u paraqitur në zyrat e aplikimit të cilat janë në dispozicion të këtij grupi qytetarësh. Pajisja me karta identiteti ka filluar prej gati dy muajve dhe ende pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë nuk kanë shkuar të aplikojnë për shkak të mungesës së organizimit dhe radhëve të shumta që gjenden te sportelet e njësive vendore.