E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët: Kompensimi me troje në bregdet, i pamundur

Deklarata e Berishës se do të kompensojë ish-pronarët me toka në bregdet është vlerësuar thjesht si premtim elektoral nga drejtuesit e shoqatës "Pronësi me Drejtësi". Anëtari i kryesisë së kësaj shoqate, Myrshit Vorpsi, gjatë një prononcimi për "Shqip", është shprehur skeptik ndaj strategjisë më të fundit të qeverisë për zgjidhjen e çështjes së ish-pronarëve, gjoja, brenda këtij mandati qeverisës. Duke qenë se ish-pronarët janë mashtruar nga qeveritë për vite me radhë dhe të njëjtin fat pësuan edhe gjatë këtyre tre vjet e gjysmë, Vorpsi nuk beson më te strategjia e fundit e qeverisë për kompensimin e pronarëve, e cila parashikonte kompensimin e tyre me troje turistike në zonat bregdetare, por edhe më para. Duke u ndalur më konkretisht te deklarata e Kryeministrit, anëtari i shoqatës "Pronësi me Drejtësi" shprehet se teknikisht është e pamundur të ndodhë ky kompensim dhe kjo, sipas Vorpsit, për një arsye fare të thjeshtë. "Këto sipërfaqe toke për të cilat bën fjalë Kryeministri Berisha, në qoftë se janë akoma të pandara, dhe ky është një problem që qeveria nuk mund ta marrë nga statistikat e Ministrisë së Bujqësisë, por nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme", shprehet Vorpsi. Më tej ai shpjegon se një pjesë e tokave të bregdetit, të cilat Kryeministri ka planifikuar t‘i japë për ish-pronarët nuk janë të futura në sistem, nuk janë të evidentuara konkretisht dhe ky është problemi kryesor. Për sa kohe nuk është i futur në sistem kjo do të thotë që asnjëherë nuk do të jetë ashtu siç e kërkon ligji një certifikatë pronësie, që të jetë e shoqëruar me hartën treguese. Duke pasur parasysh te gjitha këto, Myrshit Vorpsi ripërsërit sërish se deklarata e Kryeministrit është më tepër një deklarim që ka karakter elektoral, se një vendim i cili do të jetë efektiv. Është e pamundur thekson ai, që çështja e pronave dhe ajo punë e cila nuk u realizua për katër vjet të bëhet sot për katër muaj. Por duket se premtimi i qeverisë për të zgjidhur çështjen e ish-pronarëve nuk pi ujë këtë herë te krerët e shoqatave, të cilët janë të bindur për të mos rënë më pre e mashtrimeve të qeverisë. Kjo duket edhe nga qëndrimi që ata kanë marrë për zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti. Vorpsi ka deklaruar dje se shoqata "Pronësi me Drejtësi" ka dëshirë të përfaqësohet me njerëzit e saj në Kuvend, ndaj në zgjedhjet e qershorit do të afrohet me grupimin më të ri politik "Poli i Lirisë", me shpresë që ish-pronarët do t‘i mbështesin. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, Kryeministri Berisha u ndal te çështja e pronave, duke theksuar se janë identifikuar 4 mijë hektarë toka në zonat turistike të cilat do të përdoren për të kompensuar ish-pronarët. Sipas Berishës, kjo gjë do të bëhet pasi qeveria nuk arrin do të kompensojë në vlerë monetare ish-pronarët, sepse shuma është e papërballueshme për shkak të çmimeve aktuale në treg. Për ta përforcuar vendimin e tij, dy ditë pas mbledhjes së qeverisë, ka dalë në një konferencë për shtyp edhe zëdhënësja Bregu, e cila theksoi se qeveria po punon me intensivitet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›