E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministria e Arsimit përzgjedh programet e reja të studimit në Universitetin e Shkodrës

Nga 14 programet e reja të studimit, për të cilat ka aplikuar Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, për vitin akademik 2025–2026, 9 prej tyre kanë kaluar fazën e parë të përzgjedhjes nga Ministria e Arsimit.

Këtë e beri të ditur për mediet, rektori Tonin Gjuraj në fillim të mbledhjes së radhës të senatit.

Një ndër programet e reja është ai bachelor në “Trashëgimi Kulturore”, ndërsa të tjerët i përkasin ciklit të dytë të studimeve, kryesisht në nivelin master shkencor.

“Një vëmendje të veçantë meriton masteri i shkencave në ‘Infermieri Klinike’. Ky është një hap pozitiv që do të na çojë ne drejt shkencave mjekësore teknike,” u shpreh Prof. Gjuraj.

Rektori tha se tashmë detyra kryesore e stafit akademik është prezantimi i ofertës akademike për vitin e ardhshëm, me qëllim tërheqjen e sa më shumë studentëve.

Gjithashtu, rektori Gjuraj bëri të ditur se Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor ka miratuar financimin e disa projekteve të rëndësishme, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e procesit mësimor dhe kërkimit shkencor në këtë institucion.

Mbledhja e senatit të Universitetit të Shkodrës filloi me një minutë heshtje në nderim të ish-pedagogut të këtij universiteti, Prof. Selman Sheme, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.

Gazetar: Altin Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›