Ministria e Brendshme: Edi Rama agresion kundër procesit të liberalizimit të vizave

Ministria e Brendshme ka reaguar sot ndaj deklaratave të kryesocialistit Edi Rama se në brigjet shqiptare vijon trafiku i klandestinëve. Përmes një njoftimi për shtyp, Ministria e Brendshme deklaron se deklaratat e Edi Ramës janë në kuadër të agresionit të vazhdueshëm të tij, kundër procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Ministria e Brendshme thekson se Edi Rama përdor median e shkruar për të sulmuar vazhdimisht procesin e heqjes së vizave dhe sfidat e integrimit të Shqipërisë.
“Sot Z. Rama përdori median e shkruar për të thënë se nga brigjet shqiptare vijon trafiku i klandestinëve, kur këtë shpifje e mohuan sot kategorikisht autoritetet e vendit fqinj. Ministria e Brendshme informon opinionin publik se autoritetet italiane kanë konfirmuar se skafi me klandestinë i kapur dje, nuk ishte nisur nga brigjet shqiptare, por nga brigjet greke. Ky është vetëm një nga sulmet e Z. Rama për të baltosur arritjet më domethënëse të Shqipërisë që çuan në propozimin historik të Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Ai tha se dokumentat e reja të identitetit janë të pasigurta, në një kohë kur shqiptarët e kanë provuar se ato shihen me respekt në të gjitha rrugëkalimet e Bashkimit Europian. U tha autoriteteve europiane se shqiptarët pas heqjes së vizave do të vërshojnë të gjithë për të kërkuar punë nëpër Europë. Indoktrinoi mediat për të thënë se shqiptarët vrasin gjykatësit e Europës nëse ata marrin vendim për t’i riatdhesuar, kur në të vërtetë agresori në Bruksel nuk ishte shqiptar”- thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Brendshme.
Edi Rama u përpoq çdo ditë të dekurajojë qytetarët shqiptarë duke thënë se nuk do të mund të plotësoheshin kriteret e kërkuara të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
“Të gjitha këto fakte dëshmojnë se Z. Rama nuk dëshiron të hiqet muri Schengen për shqiptarët, se nuk dëshiron që shqiptarët të lëvizin të lirë në Europën e Bashkuar.
Ministria e Brendshme i bën thirrje Z. Rama dhe Partisë Socialiste të heqin dorë nga ky agresion ndaj heqjes së vizave, sepse po veprojnë kundër një interesi jetik dhe çështjeje dinjiteti të shqiptarëve”- konfludon deklarata për shtyp e Ministrisë së Brendshme.