E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kutia”, kokëdhimbja e Ramës

(Cikli: vapa ikën me gushtin)

Edi Rama na fton në emisionin “Zëri i Arsyes”, ose në dublimin alla-sovjetik të emisionit shumë të dashur nga shqiptarët e lirë e të robëruar prej komunizmit “Zëri i Amerikës”. Përtej batutës natyrale mbi “zërat nga lart të para do kohëve..”, lideri socialist ose ishte recidiv nën efektin e kërpudhave meksikane (psilocybe aztecorum) ose po flet seriozisht, çka nuk i ndodh shpesh. Romaku Jul Cezari kishte qejf të thoshte se “zakonisht njerëzit besojnë fare thjeshtë në atë që dëshirojnë”. Normal. Mirëpo në rastin “kutia” dhe kokëdhimbjet e saj opozitare ka gjasa të jetë efekti i një realiteti paralel duke parë njeriun që më shumë se çdo kush tjetër është investuar me mish e me gjak dhe ka qenë promotori i kërkesës për t’u divorcuar nga arsyeja. Bile të gjitha veprimet e tij politike pothuajse 11-mujore na dëftejnë me fakte të pakundërshtueshme për abdikimin e plotë nga arsyeja e shëndoshë dhe përqafimi i irracionalitetit si shtysë për të gënjyer opinionin publik me sajesën e “Kutive”. Dështimi është fitorja e munguar. Lidershipi i Partisë Socialiste vijon të qëndrojë i narkotizuar, madje po mban të dehur të gjithë strukturat intelektuale të partisë. Edi Rama ka lidhur miqësi interesi me individë e grupe biznesi (Kokëdhima, Dulaku, Ylli, , Gaçi, Abazi, etj), por jo për koncepte dhe ide të përbashkëta me interes për shoqërinë.
Sido që të jetë, në Konferencën e radhës për Shtyp, Edi Rama deklaroi se: “Ne jemi gati të merremi vesh për të mirën e vendit, për liberalizimin e vizave që nuk duhet të pengohet nga kutitë e mbyllura, për demokracinë”. Sa fjalë interesante, por ç’e do se janë të shqiptuara nga apatridi në tentativë. Duke i zbërthyer mbërtheckat e këtyre fjalëve del në pah veçse ky cinizëm i pandreqshëm, i lyer me buzëkuq e hipokrizinë politike që nuk njeh kufi. Sepse për sutakun e tij të dhunuar njëherë dhe me pasoja, “kutitë” për të janë mbi liberalizimin.
Gjithsesi një gjë duket e sigurt: nuk ka kohë për të rrahur hekurin e protestave apo për një grevë-bis, sepse fillimi i kampionatit botëror dhe nisja e pushimeve verore i ka ulur gati në zero “kërcënimet” opozitare ndaj qeverisë “Berisha2”, çka dëshmon hapur humbjen e një tjetër “beteje” personale nga Edvini.
Edi Kristaq Rama dhe çeta e bllokmenëve të rinj, me urinë e etërve të tyre për pushtet, me mllefin e trashëguar klasor, pas ndëshkimit të merituar me votën e shqiptarëve, përpiqen me çdo mjet, shërbehen me çdo tellall, që të nxijnë arritjet e ndershme së pari të qytetarëve shqiptarë dhe të shoqërisë shqiptare si dhe të Qeverisë e shtetit në rrugën e zhvillimit dhe integrimit të vendit.
Opozita shqiptare nëse i do vërtet të mirën këtij vendi, duhet të kishte zbuar për në Paris ose prapa diellit “Humbësin e madh”, sepse që vendi të ketë një shans të lulëzojë në bashkëpunim edhe me një opozite të fortë e reale - jo opozitë kutish e mendjesh të sëmura - pikë së pari duhet të afrojë intelektualët e mërguar në atdhe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›