E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë dorëzon në Zvicër kërkesën për ekstradimin e Ahmetajt

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicër kërkesën për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Lajmi u bë i ditur gjatë seancës së procesit në themel për dosjen “Buka”, ku gjyqtarja Irena Gjoka lexoi përgjigjet e zyrës së Interpol Tiranës, raportojnë mediet.

Siç raportojnë mediet, avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori deklaroi gjatë seancës se “për këtë dosje, Ahmetaj nuk ka asnjë masë sigurie. Masa është për efekt të një procedimi tjetër”.

Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj lexoi kërkesën për gjykim, ku kërkon të pyeten si dëshmitarë 14 persona, ndër to edhe ish-ministri Shkëlqim Cani.

“Kemi rënë në kontakt me një shumë të madhe parash që janë transferuar nga Shqipëria në një vend të Bashkimit Europian, që po verifikohet”, deklaron prokurori i SPAK, raportojnë mediet.

“Prokurori po thotë që po na doli gjë nga kjo, do ngremë akuzë, nëse ka hetime të tjera për këtë çështje, prokurori nuk kishte ngutje të mbyllte hetimet, nuk mund të jetë proces i rregullt me akte surprizë, nëse ka prova të tjera prokurori t’i paraqesë”, u shpreh avokati.

“Këtë akuzë e kishim të detyruar ta njoftonin për shkak të afateve të parashkrimit, çështja është ndarë për shkak të akteve që kane ardhur nga Austria”, tha prokurori.

Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, bëri të ditur se për klientin e tij nuk ka asnjë masë sigurie në këtë çështje dhe se masa e propozuar lidhet me një procedim tjetër.

Sipas SPAK, Ahmetaj akuzohet në dosje se gjatë kohës kur shërbente si ministër Financash, lejoi privatizimin e trojeve e shoqërisë “Buka Sh.a.”, përmes ankandit të aksioneve shtetërore.

Sipas SPAK, dyshohet se ai i ka shkaktuar shtetit shqiptar dëm ekonomik në vlerën 7 miliardë lekë.

Ahmetaj reagoi sot në rrjetet sociale, duke e cilësuar “lajm të rremë” faktin që “Ministria e Drejtësisë paska dorëzuar një kërkesë të re për ekstradim”.

“Kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë me urgjencë në 18 gusht të vitit 2023. Ligji e përcakton që bëhet vetëm një kërkesë. Dhe sikur të kishte do të ishte në vazhdën e tymnajës. ⁠Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shumë shpejt “përkthehet” letërporosia”, tha ai.

/r.e//a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›