E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë zhvillon konsultimet për Kodin e ri Penal me përfaqësues të mediave

Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua sot një tryezë konsultative për draftin e Kodit të ri Penal, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile.

Krahas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, të pranishëm ishin kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Mark Marku, kreu i grupit të punës për Kodin Penal, Arben Rakipi, gazetarë dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.

Në fjalën e tij, ministri Lamallari theksoi se drafti aktual është më shumë komentuar sesa njohur, duke nënvizuar rëndësinë e integritetit të procesit dhe nevojën për të garantuar punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për nevojën për të garantuar punën e gazetarëve, në mënyrë që ata ta ushtrojnë plotësisht lirinë e tyre të shprehjes duke mbajtur përgjegjës zyrtarët. Sigurisht kjo e shkruar mirë në raport me të dhënat, me faktet dhe duke shmangur mundësinë për abuzim, për elementë të qëllimshëm keqdashës dhe të pabazuar në deklaratat e tyre,” u shpreh ai.

Lamallari shtoi se rruga e duhur është një proces sa më gjithëpërfshirës dhe transparent, ku secili aktor ushtron detyrën e tij dhe përgjegjësinë qytetare për të forcuar demokracinë.

Synimi final, sipas tij, është hartimi i një produkti që reflekton nevojat e shoqërisë, i qëndrueshëm në kohë dhe i harmonizuar me standardet më të mira ndërkombëtare.

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, prezantoi sugjerimet e AMA-s për disa nene specifike të draftit, përkatësisht nenet 235, 267, 536, 863 dhe 865.

 “Për punën tonë, liria e shprehjes dhe e drejta për informim, përveçse të drejta themelore të njeriut, janë thellësisht orientuese në aktivitetin rregullator të tregut audioviziv. Bazuar mbi këto të drejta, dhe duke respektuar parimet e gazetarisë profesioniste, kemi vlerësuar disa sugjerime mbi draftin e Kodit Penal,” deklaroi Krasniqi.

Ajo i konsideroi diskutimet e sotme shumë konstruktive dhe theksoi se tryezat konsultative do të vijojnë deri në hartimin e draftit përfundimtar.

Tryeza e sotme është pjesë e një kalendari të dakordësuar më herët, ku do të përfshihen edhe aktorë të tjerë të interesit. Ministria e Drejtësisë ka theksuar se integriteti i procesit është i panegociueshëm dhe se produkti final do të jetë rezultat i shumatorës së mendimeve të shprehura, duke u mbështetur në përvojat e akumuluara dhe në standardet më të mira evropiane e ndërkombëtare.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›