E Diel, 1 Nëntor 2026

Detaje të reja nga atentati në Rinas, viktima dhe i plagosuri sapo ishin kthyer nga Barcelona

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me atentatin e ndodhur pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Sipas gazetares së RTSH-së, Flutura Tota, viktima Gilmando Dani dhe i plagosuri M.Sh. sapo ishin kthyer nga Barcelona drejt Tiranës. Automjetin me të cilin po udhëtonin, një Mercedes-Benz S-Class ngjyrë e bardhë, e kishin lënë në parkingun pranë aeroportit.

Mjeti drejtohej nga M.Sh., i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë atentatit dhe ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

Gazetarja Flutura Tota bën me dije se automjeti nuk ishte i blinduar, megjithatë xhamat ishin të mbështjellë me qese plastike, çka e bënte më të vështirë thyerjen e tyre. Për këtë arsye, policia hasi vështirësi në hapjen e mjetit për të nxjerrë trupin e viktimës dhe të plagosurin.

Pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës. Pak më vonë, në periferi të kësaj zone, është gjetur një automjet i djegur, që dyshohet të jetë përdorur për arratisjen e tyre.

Gazetarja e RTSH-së, Flutura Tota, raporton se në brendësi të mjetit të djegur janë konstatuar armë dhe municione, por policia nuk është afruar menjëherë, pasi ekzistonte rreziku që fishekët të shpërthenin nga nxehtësia e zjarrit.

Ngjarja ka vënë në alarm Policinë e Shtetit, e cila ka ngritur pika kontrolli në disa qytete të vendit. Në Lezhë dhe në akset kryesore rrugore, janë ngritur pika kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm.

Nga kontrollet po verifikohen të gjitha automjetet e dyshimta që qarkullojnë në zonë, ndërsa në terren janë përfshirë forcat operacionale dhe njësia e krimeve të rënda.

Sipas të dhënave paraprake, pista kryesore e hetimit lidhet me larje hesapesh mes grupeve kriminale, për shkak të të kaluarës së viktimës dhe lidhjeve të tij me persona të botës së krimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›