E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave dërgon në qeveri draftin për rishikimin e buxhetit

TIRANË- Ministria e Financave ka konkretizuar draftin e rishikimit të buxhetit 2011 me parametrat e tij të rinj. Burime nga kjo ministri bënë të ditur se drafti i buxhetit të shtetit për 6 mujorin e dytë të këtij viti është dërguar në Qeveri për miratim.

Në buxhetin e gjysmës së dytë të vitit do të shpenzohen rreth 16 miliardë lekë më pak krahasuar me parashikimin e fillimit të këtij viti. Në draft parashikohet gjithashtu ulje e planit të mbledhjes së të ardhurave dhe shpenzimeve, kryesisht atyre korrente. Shpenzimet korrente, referuar burimeve nga Ministria e Financave, pritet të kenë edhe uljen më të madhe.

Por, ekspertë të drejtorisë së manaxhimit të Buxhetit të Shtetit në Ministrinë e Financave theksojnë se shkurtimet në draftin e buxhetit nuk prekin strukturën e pagave. Ndërsa shkurtimet që prekin zërin e investimeve janë shqyrtuar me specialistë të Ministrive të linjës duke specifikuar projektet e mundshme ku do të ndërhyhet.

Duke parë ecurinë e deritanishme në mbledhjen e të ardhurave, ky dikaster ka analizuar ecurinë e investimeve në projekte, në mënyrë që fondet e mbetura pezull në disa projekte të kalojnë në ato që po ecin më mirë. Vetëm pak ditë më parë Kryeministri Berisha është shprehur se, do të ulen shpenzimet për çdo institucion. Ndërsa është premtuar se edhe këtë vit do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve.

Në buxhetin e shtetit për vitin 2011 të miratuar të ardhurat llogariteshin 362 223 milionë lekë, shpenzimet 409 035 milionë lekë dhe defiçi 46 812 milionë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga pushteti vendor llogariteshin 31 772 milionë lekë.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›