E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Jashtme: Rama dhunoi Egin Cekën pse i kërkoi llogari për votat e emigrantëve dhe të mos fyente Shqipërinë

editMinistria e Jashtme ka mbajtur një konferencë shtypi duke denoncuar kreun e opozitës, Edi Rama. Zëvendësministrja Edit Harxhi është shprehur se ai ka ushtruar dhunë ndaj diplomatit Egin Ceka, pse ky i fundit i ka kërkuar Ramës që të votojnë edhe emigrantët dhe i ka thënë se ambasadat nuk janë të politizuara.

Ministria e Punëve të Jashtme, është njoftuar sot, nëpërmjet ambasadorit të Republikës së Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së, z. Spiro Koçi, mbi incidentin e ndodhur dje në Akademinë Diplomatike të Vjenës gjatë një takimi të organizuar nga kjo Akademi. Zoti Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ka qenë i ftuar në këtë takim, në të cilin kanë marrë pjesë diplomatë shqiptarë, diplomatë të huaj dhe shqiptarë që jetonin në Austri.

Gjatë një bisede është fyer imazhi i Shqipërisë disa herë. Në të njëjtën kohë një nga diplomatët shqiptarë, z. Egin Ceka, diplomat i ri energjik, prej disa vitesh diplomat në ambasadën tonë në Vjenë, aktualisht në misionin tonë në OSBE, i shkolluar jashtë, në përfundim të takimit është afruar tek z. Rama për të biseduar rreth një pike që z. Edi Rama e ka ngritur disa here: pengimin nga ana e tij për votën e shqiptarëve kudo nëpër botë nëpërmjet ambasadave tona. Z. Rama ka potencuar gjatë bisedës së tij, që nuk është e mundur vota e shqiptarëve për arsye të tejpolitizimit të përfaqësive diplomatike shqiptare e pikërisht z. Ceka duke u nisur nga dëshira e tij për të bashkëbiseduar dhe për ta depolitizuar bisedën është afruar tek z. Rama për të diskutuar rreth kësaj teme, që shërbimi diplomatik shqiptar jo vetëm që nuk është politik, por në mënyrën më të mirë të mundshme, do të mund të kthente një shërbim të tillë ndaj shtetasve shqiptarë, pikërisht për të siguruar votën e tyre pranë ambasadave shqiptare. Në këtë moment zoti Rama ka reaguar në mënyrë mjaft agresive, ka përdorur dhunë fillimisht verbale, më pas në dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve Ramës dhe diplomatit Ceka. Ky konflikt është shpërndarë nga të pranishmit në sallë dhe diplomatët e huaj që ishin prezent. Dhuna verbale ka vazhduar edhe më tej duke i kërkuar z. Ceka që të dalë jashtë, madje duke përdorur edhe fjalë që nuk janë të denja për asnjë qytetar shqiptar, aq më tepër për një kryetar partie karshi diplomatëve shqiptarë.

Natyrisht Ministria e Punëve të Jashtme dënon shumë rëndë këtë akt, që është një akt i paprecedentë. Gjatë këtyre tetë viteve të fundit nuk ka ndodhur asnjëherë një akt i tillë. Gjithsesi ky akt dënohet, sepse është një cenim jo vetëm i dinjitetit të diplomatëve shqiptarë, si shërbim i denjë i shtetit tonë, i cili mundohet të ngrejë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë, por dënon dhe kërcënimin e imazhit të Shqipërisë që i bëhet sot për sot në botë. Fatkeqësisht kjo vjen në një moment mjaft delikat për politikën në të njëjtën kohë edhe si cenim që në mënyrë të drejtpërdrejtë kërcënon ashpër momente të veçanta të jetës së shqiptarëve. Natyrisht ne vazhdojmë ta dënojmë këtë akt pa fund dhe jam e sigurt që shërbimi diplomatik shqiptar, si edhe diplomatët shqiptarë bashkohen me mua dhe shumë të tjerë. Sot jemi pranë zotit Ceka, thuhet në reagimin e Harxhit./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›