E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koalicioni qeverisë PD - LSI bëri të mundur rrugën e integrimit”

Në një-vjetorin e mandatit të dytë të qeverisë, komenton Kryeministri Sali Berisha

Kryeministri i vendit Sali Berisha vlerësoi dje bashkëpunimin e dy forcave më të mëdha politike në vend, PD dhe LSI, përmes qeverisjes së përbashkët, e firmosur kjo një vit më parë, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Sukseset e këtij koalicioni janë evidentuar që në një vjetorin e parë të lidhjes së aleancës, duke parashtruar si momente të rëndësishme dorëzimin e Pyetësorit të BE-së për marrjen e statusit kandidat dhe liberalizimin e vizave, procese këto që pritet të finalizohen brenda vjeshtës së këtij viti. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha tha para deputetëve se mazhoranca po e fakton çdo ditë e më tepër objektivin e saj për integrimin e Shqipërisë.
“Në përvjetorin e koalicionit të suksesshëm të integrimit të vendit, unë gjej rastin të përshëndes në emër të mazhorancës të gjithë ata drejtues, veprimtarë, të forcave politike të këtij koalicioni për vendimin e shkëlqyer që morën një vit më parë për t’i dhënë vendit qeverisjen me spektrin më të gjerë të mundshëm, për të mobilizuar në qeverisje forcat me eficente. Koalicioni u quajt ‘Koalicion i Integrimit’ dhe unë besoj se këtë, kjo mazhorancë e ka faktuar dhe po e fakton çdo ditë për çdo qytetar shqiptar. Ju përshëndes edhe ju që në një vit veprimtari funksionuat në mënyrë të shkëlqyer dhe bëtë që, së bashku, ky koalicion të realizojë me seriozitetin më të madh programin, premtimet e tij. Ju bëtë që në këtë koalicion të gjejnë veten idealet evropiane të shqiptarëve”, vlerësoi Kryeministri.
Shefi i ekzekutivit tha se në qoftë se ëndrra evropiane e shqiptarëve është edhe projekti i të gjitha projekteve, nuk mund të anashkalohen dhe arritje të tjera të mëdha të këtij koalicioni në të gjitha fushat.
“Në radhë të parë në drejtim të shtetit ligjor, si kusht i të gjitha kushteve për liritë dhe të drejtat e qytetarëve; promovimin e mëtejshëm të reformave ekonomike, si një mekanizëm kryesor për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe në kohërat më të stuhishme të financave dhe ekonomisë botërore; mbajtjes, respektimit të parimeve të mëdha të kohezionit social dhe në kushtet e vështirësive të mëdha. Mendoj se koalicioni jo vetëm ia doli t’i përmbahet parimeve të shpallura, por ka përcaktuar veprimtarinë e tij në një perspektivë afatgjatë të madhe, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë”, deklaroi në fjalën e tij Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›