Ministria e Jashtme përshëndet Çekinë për marrjen e presidencës së BE-së
Ministria e Punëve të Jashtme në një deklaratë për shtyp përshëndet marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Republika Çeke. Në këtë deklaratë zyra e shtypit të Ministrisë së Jashtme shkruan se i uron suksese nё përballimin e sfidave gjatë këtij mandati të rёndёsishёm me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Republika Çeke. Duke vlerësuar prioritetet e Presidencës çeke drejt Ballkanit Perëndimor, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se kjo përqasje do të ndikojë pozitivisht në adresimin e çështjeve konkrete që kanë të bëjnë me afrimin e mëtejshëm të vendeve tona drejt Bashkimit Evropian. Jemi të përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë dhe të suksesshëm me Presidencën çeke për të bërë të mundur që gjashtë muajt e ardhshëm të shënojnë një hop cilësor drejt procesit të liberalizimit të regjimit të vizave me vendet e hapësirës Schengen, si dhe për të kaluar në një fazë të re drejt integrimit në BE. Ministria e Punëve të Jashtme i shpreh falënderimet Presidencës franceze të BE-së për një periudhe shumë të suksesshme të mandatit të saj gjatë gjysmës së dytë të vitit që lamë pas, i cili, ndër të tjera, shënoi një progres të dukshëm në afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.