E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Jashtme shqiptare përshëndet njohjen e Kosovës nga Mali i zi dhe Maqedonia

 

TIRANË- "Një hap të rëndësishëm e të përgjegjshëm, që bëhet në kohën dhe drejtimin e duhur". Kështu ka vlerësuar sot nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), vendimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës.
Duke përshendetur këtë akt, në deklaratën për shtyp të MPJ-së thuhet se "njohja zyrtare prej tyre e shtetit më të ri të Europës, vetëm një ditë pas miratimit në OKB të nismës së Serbisë për të kërkuar mendim këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, dëshmon se pavarësia e saj është një realitet i pakthyeshëm. Ky realitet është njohur tashmë nga 50 shtete. Të tjera shtete pritet që ta njohin atë, sepse pavarësia e ka qetësuar dhe stabilizuar jo vetëm Kosovën, por krejt rajonin tonë".
"MPJ gjen rastin të rikonfirmojë se Shqipëria është e vendosur që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, që fatmirësisht ekzistojnë dhe zhvillohen me dy vendet mike, Malin e Zi dhe Maqedoninë, t’i thellojë edhe më tej, duke i ngritur në nivele edhe më të larta, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë", përfundon deklarata zyrtare e MPJ-së.

(d.b/BalkanWeb)



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›