E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Kulturës përzihet në zgjedhjen e drejtorit të Teatrit

Ani pse me ligj zgjedhja e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës është punë e Këshillit Drejtues, Ministria e Kulturës nuk e ka lënë pa u përfshirë. Dosjet e kandidatëve ende nuk ia ka dorëzuar Këshillit. Por, jo vetëm kaq. MKRS-ja do t’ia dërgojë Këshillit edhe referencat për secilin kandidat.

“Është ndërhyrje e pastër”, thotë dramaturgu Arian Krasniqi. Ministria e Kulturës po e zvarrit zgjedhjen e drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Të hënën e 4 shkurtit bëhen dhjetë ditë qëkur është mbyllur konkursi për postin e kreut të TKK-së.

Në Ministrinë e Kulturës thonë se kjo shtyrje është bërë pasi verifikimi i dosjeve të gjashtë pretendentëve për t’u bërë drejtor do kohë, shkruan koha.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Zymber Kelmendi, thotë se po presin pranimin e dosjeve të konkurrentëve, për të vazhduar me pas me intervistimin e tyre.

Dorëzimi i këtyre gjashtë dosjeve, sipas Shkëlzen Dragajt, këshilltar i ministrit të Kulturës, do të bëhet të hënën.

“Eventualisht të martën”, ka shtuar ai. Sipas tij, dorëzimi i dosjeve në TKK nuk është bërë, sepse Zyra Ligjore e MKRS-së ka bërë verifikimin e tyre.

Por kjo, sipas ish-drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arian Krasniqi, nuk merr as dy ditë kohë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›