Ministria e Lumturisë Kombëtare
Shqiptarët ende nuk e kanë të qartë se cili ka qënë e duhej të ishte objektivi i tranzicionit nga sistemi totalitar. Ku duhej e ku duhet shkuar? Paria e Tiranës ka këmbëngulur e po këmbëngul me një insistencë të habitshme se objektivi 'konsensual' e 'mbarëshqiptar' është e do të jetë integrimi në strukturat euroatlantike, çkado që përmbledh ky koncept hybrid por I dobishëm. Shkurt e shqip, mbasi SHBA na futën në NATO, kjo po përkthehet në arritjen e anëtarsimit të shtetit shqiptar në Bashkimin Europian me të drejta të plota. Ky ka qënë objektivi i gjithë qeverive të mbas-1990-s. Ky është edhe objektivi i koalicionit të parisë së Tiranës që synon të formojë qeverinë edhe kësaj here. Politikanët sillen sikur hyrja në Europë do të na i zgjidhë të gjitha punët dhe atëherë do të bëhemi si gjithë të tjerët, normalë e europianë të lumtur. E kështu, Ministria e jonë e Lumturisë Kombëtare e ka emrin Ministria e Integrimit Europian.
Ia vlen të thuhet se ndoshta zëri më i qartë e më skeptik për shanset e për mundësitë e integrimit ka qënë ai i Prof. Ermelinda Meksit, ish-ministre e Integrimit në një shkrim të botuar disa vite më pare tek SHEKULLI. Po kështu, edhe disa pjestarë të tjerë të parisë së Tiranës kanë treguar realizëm në analizat e tyre për këtë problem duke vënë në dukje se jemi aq larg integrimit sa mund ë thuhet se ky objektiv nuk është i mbrritshëm edhe për një kohë të gjatë.
Mirëpo, paria e Tiranës ka ngulmuar të ecë në këtë rrugë dhe e ka kthyer integrimin në objektivin e vetëm e të pazëvendësueshëm të politikës shtetërore e kombëtare. I gjithë riorganizimi shoqëror dhe i sistemeve të tjera gjatë tranzicionit është vënë në funksion të këtij objektivi. Por, edhe pse kanë kaluar disa vjet nga këto përpjekje të bujshme të parisë, realiteti është se shteti shqiptar është më larg se kurrë arritjes së këtij objektivi të lumturisë kombëtare. Edhe pse tash do të kemi qeverinë e integrimit, duket se dështimi I saj do të jetë i garantuar. Çka është më e keqja, çdo qeveri që do të formohet nuk do të ketë as fuqinë politike, as ndërtimin institucional, as burimet e strukturat ekonomike, as kohën e nevojshme, as dëshirën e sinqertë, as mbështetjen popullore, por edhe as mirëkuptimin e shteteve që vendosin në BE për të bërë ato ndryshime që mund krijojnë kushtet për futjen e shtetit shqiptar në Bashkimin Europian. Po ashtu zgjidhja që shqitarët kanë bërë është që të lidhen me SHBA e jo më BE. Mbi të gjitha, shteti shqiptar vazhdon të mbetet peng i çeshtjes kombëtare shqiptare, problemit më të mprehtë politik e ende të pazgjidhur në Ballkan. Ia vlen të përmenden shkurtimisht se si duket se na shohin e na trajtojnë ne 'familja' e jonë europiane.
Për BE, sistemi politik në shtetin shqiptar është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të garantojë sundimin e dy partive të mëdha dhe i ka futur partitë politike në kontrollin e hekurt të liderit të rradhës. Zgjedhjet kuvendore ishin një dështim i thellë politik dhe me pasoja të pallogaritshme edhe për integrimin e shtetit shqiptar ne BE. Vetëm paria e Tiranës beson se sistemi politik në shtetin shqiptar është demokratik dhe se qeveritë qe dalin prej atyre zgjedhjeve janë legjitime. Duket se BE, që është e interesuar për stabilitet, do ta kapërdijë edhe këtë farsë elektorale që iu servir nga paria e Tiranës. Por, duke shfrytëzuar edhe përleshjen e rradhës së segmenteve të parisë së Tiranës, BE do ta bëjë të qartë se ky është një dështim tjetër, shumë i rëndë, që na largon edhe më shumë nga objektivi i integrimit në BE.
Në nivelin institucional, BE e ka bërë të qartë se shteti shqiptar është një shtet i kapur nga interesat e veçanta ekonomike e qartësisht kriminale në të gjitha nivelet. Arrestimi i hajdutëve të xhepave dhe vrasësve ordinerë, nuk e fsheh realitetin e nje shteti të kontrolluar nga oligarkët e parisë së Tiranës. Aq më keq, realiteti është i tillë që strukturat institucionale dhe shtetërore janë të kapura e të kontrolluara prej krimit të organizuar. Paria e Tiranës i ka forcuar strukturat institucionale por vetëm deri në atë nivel që të mbrojnë interesat e tyre. Tash, pengesa për hyrjen në BE na thuhet se janë pasaportat biometrike. Pra, fajin pse ne nuk hyjmë në BE e kanë shqiptarët që nuk pajisen me këto pasaporta e jo paria e Tiranës që dëshoi për me e ba shtetin shqiptar si gjithë Europa.
Në lidhje me zhvillimin e sistemit të duhur ekonomik, shteti shqiptar nuk ka se çfarë të tregojë si dëshmi të afrimit me strukturat ekonomike të BE. Vendi prodhon shumë pak, konsumon shumë mallra importi, mbahet me një ekonomi joformale, të kriminalizuar, që varet nga emigrantët dhe nga aktivitetet e jashtëligjshme dhe ku zyrtarët e individët e lidhur me to pasurohen si në përralla. BE e sheh me shqetësim të thellë rikthimin e skafeve, sistemin ndërkombëtar të trafikut njerëzor e të drogave dhe influencën që kanë klanet e shumta kriminale mbi politikanët shqiptarë në të gjitha nivelet, si nje vend ku edhe qentë e rrugws dehen me hashish e marihuanë (a.k.a as cannabis sativa, shqip 'kërpi'). Kriza e thellë që e ka përfshirë shtetin e ekonominë shqiptare, dhe që u fsheh me kujdes gjatë fushatës zgjedhore, ka dalë qartësisht në sipërfaqe. Arka e shtetit është bosh, emigrantët nuk dërgojnë aq ndihma sa dikur, linjat e kreditit janë tharë, buxheti është rrudhur shumë dhe varfëria për shtresat të gjera të popullit ka mbrritur në ekstrem.
Në lidhje me mbështetjen popullore, shqiptarët kanë synimin që të marrin një vizë për dikund në BE, të ikin në jetën e mundimshme të emigrantit sepse nuk gjejnë shpresë në vendin e tyre. Për to hyrja në BE është mundësia e ikjes nga shteti shqiptar dhe e gjetjes së një pune që të lejon të hash një kafshatë bukë me nder. Mirëpo si shqiptarët, ashtu edhe BE, janë krejtësisht të qartë se kanë shumë pak gjëra të përbashkëta me njeri tjetrin. Urrejtja e racizmi kundër shqiptarëve janë të dukshme gjithkund në vendet e BE. Europa nuk po i integron një million shqiptarë që jetojnë brenda në Europë, si në Greqi etj., tash 20 vjet, pse duhet të pritet që do të merret me tre milionë të tjerë që kanë shtetin e tyre por që nuk sillen si duhet? Po ashtu vetëdija se Europa nuk na don ne shqiptarët duket se është e ngulitur thellë dhe qartësisht e prekshme edhe në shtetin shqiptar. Mbas vizitës së presidentit Bush, duket se BE e interpretoi shpërthimin e shqiptarëve dhe të ndjenjës së tyre pro-amerikane si shprehje të mbështetjes së madhe popullore për lidhjen shumë të forte, strategjike e formale që ekziston midis shtetit shqiptar dhe SHBA. Mbi të gjitha, BE i sheh shqiptarët me dyshim, si krijesa të një sistemi hybrid që kur janë në vendin e tyre duhet të bëjnë si paria, e sillen sip aria, dhe kjo don të thotë se askush nuk e respekton ligjin, shtetin, vlerat e identitetin europian. Këtu BE e ka një problem me to edhe pse shqiptarët e paria e tyre harrojnë se për pesëqind vjet ato kanë qënë pararoja e qytetërimit islamik, dhe më përpara e ortodoksisë, dhe e të gjitha herezive që nga arianizmi e me rradhë, ashtu si edhe mercenare e bashkibozukë të gjithkujt. Përmendja e Skenderbeut dhe e të tjerëve si mbrojtës të Europës nuk ka kurrfarë lidhjeje me proceset e zhvillimet shoqërore në nivel të identitetit që po ndodhin në shtetin shqiptar e që kanë një lidhje tejet të dyshimtë me identitetin europian.
Po ashtu Europa nuk beson se paria e Tiranës ka dëshirën e sinqertë që ta integrojë shtetin shqiptar në BE. E vetmja rrugë që oligarkia e Tiranës mund të pasurohet e të ruajë pozitat që ka është duke e mbajtur shtetin shqiptar në një gjendje të tillë. Hyrja në Europë për to është një problem i madh se mandej do të ketë detyrime e struktura të tjera që disi do ti mbajnë nën fre dhe kjo nuk i intereson parisë së Tiranës. Mandej, paria e Tiranës e ka mbrritur Europën. Ato i kanë pasaportat diplomatike të shërbimit, i kanë vilat e apartamentet, investimet e fëmijët, spitalet e mjekët e tyre, hotelet e vendet e argëtimit, në Europë e tjerakah. Kështu si janë, paria e Tiranës janë shumë mirë, hallet janë të popullit. Me e thanë ndryshe, BE ka frikë se paria e Tiranës po kërkon të imitojë stërgjyshërit e vet jeniçerë, bashibozukë e martallozë që kanë marrë në qafë disa perandori dhe e shohin BE si Enver Hoxha shihte Bashkimin Sovjetik e Kinën dikur.
Por problemi më i madh që sheh BE është problemi i çështjes kombëtare shqiptare. Kjo çeshtje e pazgjidhur politike do të jetë në qëndër të vëmendjes së BE. Shpërbërja e ish-Jugosllavisë nuk ka përfunduar ende, stabiliteti i Maqedonisë nuk është siguruar, fati i Bosnjës nuk është vendosur dhe të gjitha zgjidhjet varen nga rruga që do të marrë çështja kombëtare shqiptare që prek edhe Malin e Zi e Serbinë. Ky është një problem që as është zgjidhur si duhet e, pot ë vazhdojnë të ndiqen politikat e deritashme, duket se do të mund ta marrë zgjidhjen e duhur. Pa u zgjidhur çështja e bashkimit, nuk vjen në fjalë çështja e integrimit europian.
Mirëpo, duhet ruejte gjendja e status quo-se dhe imazhi se BE ka interes per shqiptaret qe te hyjne ne Europe. problemi për BE është se në se shqiptarët të binden se integrimi në Europë është një premtim i parealizueshëm, atëherë zgjidhja e vetme që shqiptarët do të kenë do të jetë që të drejtohen nga vetvetja dhe të kërkojnë bashkimin kombëtar e shtetin e tyre kombëtar. Mirëpo kjo prish shumë ekuilibre dhe BE as nuk ka pasur e as nuk ka interes që kjo çështje të zgjidhet si duhet. Në këtë pikë, BE dhe paria e Tiranës pajtohen bashkë. Edhe pse të dyja palët e dinë se nuk do të ketë integrim në Europë për shtetin shqiptar, as sot e a mot, prapë luhet një sharadë tragjikomike. Kështu bëhen aplikime, nënshkruhen marrëveshje, organizohen tryeza dhe takime pa fund, por objektivi i tranzicionit dhe i arritjes së lumturisë kombëtare është e do të jetë gjithnjë i pambrritshëm si ylberi edhe me këtë qeverinë e pritshme të integrimit.