E Shtunë, 31 Tetor 2026

Multilaterizmi i Obamës

6 muaj presidence aktive në krye të SHBA-së mjaftojnë për të skicuar një linjë të përgjithshme të përafrimit të Presidentit Obama në universin e marrëdhënieve ndërkombëtare.


Vetë shembulli i historisë së tij personale (bir i një studenti kenian, të ardhur në SHBA me një bursë studimi, Obama ka kaluar një pjesë të femijerise së tij në ishujt Havai e në Xhakarta të Indonezisë) ngjan simbolikisht si stema e trajtës multilaterale që ai po i jep kësaj përqasjeje.


Në 8 vjet presidence, Xh. W. Bush, paraardhësi i Obamës në Shtëpinë e Bardhë, shtoi armiqësinë e opinionit publik botëror me përqasjen e tij unilateraliste ndaj problemeve globale, prej administratës së tij republikane trajtuar veçse në një prizëm amerikanocentrik.


Solidariteti global post-11 shtator 2001 kaloi shpejt në kundërshtimin e fushatës në Irak (pranverë 2003), ku amerikanët, në pak javë fituan luftën, por nuk i siguruan dot paqen e brendshme këtij vendi.


Bushi u rizgjodh në 2004-ën si Presidenti që duhet të paqëtonte Irakun, por vetëm në muajt në prag të fitores elektorale të Obamës (4 nëntor 2008) SHBA-të arritën të ulnin në nivele "të pranueshme" numrin e viktimave të një lufte ende të pambyllur.


Një "strategji daljeje" (exit strategy) prej Irakut, e realizueshme mundësisht brenda gjysmës së parë të mandatit të dyshes Obama-Biden (zv/presidenti i SHBA-ve), është - paralelisht me përqendrimin e fuqisë ushtarake në frontin "AfPak" (kufiri Afganistan-Pakistan, ku përqendrohen bazat kryesore të Al Kaedas) - themeli i politikës së re amerikane në luftën ndaj autorëve të sulmeve të 11 shtatorit.


Gjithashtu, me fjalimin historik të mbajtur në Kajro, më 4 qershor 2009, Presidenti i ri i shtriu haptazi dorën e bashkëpunimit botës myslimane dhe ndëkohë fton Izraelin të pranojë realitetin e një shteti palestinez, si bazë e një politike të re paqeje në Lindjen e Mesme.


Strategjia "AfPak" kërkon një bashkëpunim të ngushtë me aleatët evropianë të NATO-s, çka është një nga objektivat e "diplomacisë së butë" të Obamës.


Në samitin e fundit të grupit të 8 vendeve më të industrializuara në L'Akuila (korrik 2009), Presidenti u shfaq natyrshëm si lideri i pranuar i botës Perëndimore dhe u angazhua në uljen e lëshimeve industriale të dyoksidit të karbonit në atmosferë (strategji që duhet medoemos të përfshijë edhe Kinën e Indinë) e në luftën ndaj "parajsave fiskale" financiare.


Bashkëpunimi me dyshen franko-gjermane duket në binarët e drejtë dhe publikisht ka hasur probleme vetëm në çështjen delikate të zgjerimit të BE-së drejt Turqisë, opsion që Sarkozi e kancelarja Merkel e shohin me mospranim.
Multilateralizmi i Obamës synon në idealin e një bote ku të sundojë realiteti i një reduktimi drastik të armëve bërthamore.


Marrëveshja e Moskës me kolegun rus Medvedev, pason qëndrimet gjykuar "të vakët" të administratës amerikane në dënimin e dhunës, shpërthyer në qershor 2009 në Iran, vend me të cilin SHBA-të kërkojnë me çdo kusht të mbajnë hapur një kanal dialogu për ta bindur të heqë dorë nga kërkimet për t'u pajisur me bombën atomike.


Në 8 vjet, unilateralizmi i Bushit arriti të realizonte një objektiv të tijin madhor: të evitonte një tjetër sulm terrorist të drejtpërdrejtë në territorin metropolitan amerikan.


Por nuk e ktheu botën në një planet më të sigurt, përkundrazi, acaroi tensionet antiperëndimore në Lindjen e Mesme dhe favorizoi fuqizimin në vetë "derën e shtëpisë" së SHBA-ve, në Amerikën Latine të diktatorit venezuelian Hugo Çavez.


Obama vjen në kohë për të ndryshuar këtë tendencë para se të kthehet në të pakthyeshme. "Besimi në "angazhimin" është deri më tani elementi më i dukshëm i doktrinës Obama në formim" - vëren e përjavshmja "The Economist", në një prej numrave të marsit 2009, duke vijuar: "Mesa duket, zoti Obama nuk është njeriu që tenton të shtyjë kundërshtarët në një cep".

Obama mund të kujtohet nesër në histori si Presidenti i parë amerikan i një bote që po hyn në atë që politologu Fared Zakaria e quan "bota postamerikane", duke tentuar ta analizoje kështu: "Bota po lëviz prej zemërimit tek indiferenca, prej antiamerikanizmit në postamerikanizëm. Fakti që fuqitë e reja po vendosin fort theksin në interesat e tyre, është realiteti i botës postamerikane".


Duke gjykuar të paktën prej vëzhgimeve të 6 muajve të parë presidencialë, mund të konstatohet se, me realizëm e vullnet pozitiv, Barak Obama po tenton të dialogojë me protagonistët e kësaj ere të re e jo t'i pengojë ose t'i trembë ata. Nëse nesër BE-ja, Kina, India, Rusia, Afrika pranojnë të ecin në urën që Obama po mundohet të ngrejë, ideali i një bote më të sigurt e më të rregulluar mund të jetë një realitet i prekshëm.

*Università degli Studi di Roma "La Sapienza"

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›