E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ftoj Ramën të njohë zgjedhjet

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha në ditën kur KQZ përfundoi ndarjen e mandateve, përshëndeti mbylljen përfundimtare të zgjedhjeve dhe falenderoi gjithë anëtarët e KQZ që votuan 7 me 0 për mandatet. Gjithashtu ai i bëri thirrje opozitës të bashkëpunojë dhe të njohë zgjedhjet.

Ndërsa flitet se nesër Asambleja e PS-së do të mblidhet pikërisht për mosnjohjen e zgjedhjeve të kontestuara rishtazi, Berisha del dhe fton publikisht z.Rama qe të bashkëpunojë dhe të largojë sindromën e humbjes. Sipas tij zgjedhjet u vlerësuan edhe nga ndërkombëtarët por mbi të gjitha mandatet u votuan në përfundim nga 7 anëtarët e KQZ-së.


"Unë ftoj opozitën që të kontribuojë për Shqipërinë Europiane pasi qëllimi ynë në këtë katërvjeçar është integrimi i vendit dhe lëvizja e lirë brenda një viti", tha Berisha. Sipas tij në këto zgjedhje s'kishte të humbur, ndaj e ftoi opozitën qe të bëhet aktore e integrimit.


"Qëllimet ekstremiste ndikojnë negativisht në zhvillimin e vendit, por pikë së pari ndikojnë tek ata që i marrin këto hapa, sepse këto zgjedhje fatmirësisht janë vlerësuar edhe nga prezenca e vëzhguesve dhe mbi të gjitha mandatet u votuan nga 7 komisionerët e KQZ". Keshtu iu pergjigj Berisha, pyetjes së gazetarëve për mosnjohjen e zgjedhjeve nga ana e opozitës, vendim që pritet të finalizohet nesër në Asamble.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›