Ministria e Mbrojtjes: 11 vatra aktive, mbi 500 forca të angazhuar për shuarjen e zjarreve

TIRANÊ, 5 shtator/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi mbrëmjen e sotme se gjatë ditës janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 5 janë fikur.
Në operacione për shuarjen e vatrave janë angazhuar 587 forca operacionale vendore, 52 automjete zjarrfikëse, si dhe 550 efektivë dhe 7 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Mbështetja ajrore është realizuar me 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor.
Në fshatrat e Fierit, në Drizë/Radostinë, Vadhizë, Peshtan dhe Levan, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se vijojnë tê jenê aktive vatrat e zjarrit. Në këto zona kanë angazhuar 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 FP dhe 104 forca ushtarake, me mbështetje nga 1 helikopter dhe 1 Air Tractor.
Në Bardhaj të Shkodrës zjarri mbetet aktiv. Në operacion janë 5 automjete zjarrfikëse, struktura vendore dhe mbështetje nga FA me 1 automjet zjarrfikës dhe 1 helikopter.
Në Lundre dhe Madhesh të Matit operacioni mbështetet edhe nga 30 efektivë të FA.
Sa i përket situatës në Himarë, Ministria e Mbrojtjes deklaron se në lagjen “1 Maji” zjarri është fikur pas një angazhimi të gjerë me 26 automjete zjarrfikëse, forca vendore, policore e vullnetare dhe 183 efektivë, 2 zjarrfikëse dhe 2 ambulanca dhe 2 helikopterë të FA.
Raportohen 6 banesa të djegura, prej tyre 3 të banuara, dhe 36 persona të evakuuar.
Ndërsa në Dajt vatra vijon aktive ku 30 forca vendore dhe 50 efektivë të FA janë të angazhuar për shuarjen e zjarrit. Qinami mbahet nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në Vajkal, Mallunxë–Lis, Gallatë, Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, Krastë të Elbasanit, Iballë dhe Krepse, ndërsa vijon mbikëqyrja në disa zona të tjera. Në Mavrovë të Selenicës dhe në malin “Partizan” në Berat, zjarret janë fikur.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.