Ministria e Mbrojtjes: 4 vatra zjarri aktive, vijojnë operacionet në Dibër dhe Elbasan

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë raportuar 28 vatra zjarri. Aktualisht, 4 vatra mbeten aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar gjithsej 330 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 50 efektivë dhe një helikopter.
Vëmendja kryesore është përqendruar në Qarkun Dibër, ku vijojnë të jenë aktive dy vatra.
Në Qafë të Helmës, Bulqizë, forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në terren janë angazhuar 23 forca dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në Vajkal, Bulqizë, zjarri vijon në terren shkëmbor me shkurre dhe dëllinja. Në operacion janë angazhuar 32 forca, konkretisht 5 zjarrfikës, 2 punonjës të emergjencave civile dhe 25 punonjës bashkiakë.
Në Qarkun Elbasan mbeten aktive dy vatra. Në Malin e Dardhës, Librazhd, zjarri është izoluar dhe mbahet nën kontroll nga forcat në terren, pa rrezik për banesat. Ndërsa në Malin e Qukësit, Prrenjas, vijon puna për shuarjen e trungjeve dhe bimësisë së ulët brenda perimetrit të vatrës, gjithashtu pa rrezik për zonat e banuara.
Vatra në Malin e Polisit vijon të mbahet nën mbikëqyrje, me qëllim parandalimin e riaktivizimit.
Situata në Malin e Dajtit paraqitet e përmirësuar. Reshjet e shiut të një dite më parë kanë ndihmuar në izolimin e vatrave, pas angazhimit të 38 forcave operacionale vendore dhe 50 efektivëve të Forcave të Armatosura. Zona do të vijojë të monitorohet për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm.
Edhe vatra në Qafë-Mugë, Fushë-Arrëz, është izoluar dhe vijon të mbahet nën monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/rtsh.al/