Ministria e Mbrojtjes dorëzohet, nuk e përfaqëson më Partizanin
Pas vendimit të Apelit, ku logoja i mbetet shoqërisë së Albert Xhanit, ministria njofton se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, si dhe heq dorë nga administrimi i të kuqve
Ishte menduar se pas ngjitjes në Kategorinë e Parë kishte marrë rrugë ringritja e Partizanit, por qershori ka rezultuar si një muaj i rrëmujshëm, pasi situata ka ndryshuar totalisht.
Deri më 27 qershor flitej për një Partizan të administruar nga Ministria e Mbrojtjes, që kishte bërë plane për të ardhmen e të kuqve, por pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit për pronësinë e logos, dikasteri ushtarak është dorëzuar për momentin.
Në një njoftim për shtyp të bërë dje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, mësohet se vendimi ishte flagrant dhe në kundërshtim me ligjin, pasi për ata Klubi i Futbollit Partizani është pasuri e publikut, e administruar nga ministria.
Gjithsesi, mësohet se ministria do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, me bindje se e drejta ligjore e këtij institucioni për të rimarrë pronën e saj do të shqyrtohet me seriozitet.
E ndodhur në këto kushte, ministria ka vendosur që të heqë dorë nga përfaqësimi i Partizanit në aktivitetet futbollistike, që organizohen në vend. Ky vendim i ministrisë ia bën më të lehtë punën FSHF-së,për të marrë një vendim rreth Partizanit të sezonit të ri.
Por, detyrimisht duhet të mblidhet Komiteti Ekzekutiv, pasi pikërisht ka qenë ky organ, që më 4 shtator 2011 i dha të drejtë Ministrisë së Mbrojtjes për ta regjistruar Partizanin.
Detyrimisht me këtë vendim të ministrisë i bie që të drejtën e regjistrimit të Partizanit në FSHF do ta ketë shoqëria tregtare Partizani sh.a, e administruar nga Albert Xhani.
Gjithsesi, problematika te Partizani mbetet, pasi dihet se ka një proces të hapur mes aksionarësh, Albert Xhanit dhe Paro Laçit, për të drejtën e administrimit të shoqërisë, por ekzistuese mbetet edhe beteja mes ministrisë dhe shoqërisë Partizani sh.a, pasi mbrojtja do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Dje ishte planifikuar që administratori i deleguar i të kuqve, Gjergji Thaka, të kishte një takim në ministri, por ai është njoftuar se ky takim do të zhvillohet sot, në orën 11:00.
Pa dyshim që në këtë takim pritet që ti bëhet zyrtare dorëzimi i detyrës, pasi Partizani i ministrisë do të pushojë së funksionuari. Tani shtrohet pyetja: Sa kohë duhet për të mësuar se kush do të jetë Partizani i sezonit 2012-2013?
