E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda fillon tenderin e stolit., kërkohet zëvendësuesi i Van Marvijkut

Përgatiti: DENIS HAKANI

Nga Van Gal te Rajkard, nga Adrianse te Rud Gulit, ja cilët janë kandidatët për të marrë drejtimin e tulipanëve gjatë eliminatoreve të Kupës së Botës 2014

Zërat në lidhje me një shkarkim të Bert van Marvijk janë shtuar menjëherë pas eliminimit të turpshëm të Holandës në Euro 2012-të dhe largimi i tij dukej i pashmangshëm pas paraqitjes zhgënjyese të kombëtares holandeze këtë verë. Në fakt, 60-vjeçari ka lajmëruar të mërkurën se ai kishte vendosur të jepte dorëheqjen nga Holanda.

Federata Holandeze e Futbollit tani do të duhet të gjejë një zëvendësues para fillimit të fazës eliminatorë për Botërorin e 2014-ës në shtator. Këta janë disa nga kandidatët e mundshëm për të marrë drejtimin e Tulipanëve.

KO ADRIANSE

Jo vetëm që Adrianse është aktualisht pa punë, por filozofia e tij e futbollit duket se i përshtatet kërkesave të federatës, gjithashtu. Ish-trajneri i Tventes njihet për lojën e tij sulmuese dhe objektivi i tij është të argëtoj tifozët.

Për më tepër, ai është një person karizmatik, i cili di ti menaxhojë të ashtuquajturat ego të mëdha që ekzistojnë në kombëtaren holandeze. Trajneri me eksperiencë do të ishte i gatshëm të provonte cilësitë e tija si trajner i Holandës pas largimit nga Tvente në sezonin e kaluar.

LUIS VAN GAL

Të gjithë holandezët e mbajnë mend shumë mirë katastrofën e 2002-it. Me Van Gal në drejtim të Holandës është dukur sikur kishte ardhur me të vërtetë momenti i Tulipanëve për të fituar Kupën e Botës. Përkundrazi, ata kanë dështuar, duke mos arritur as të kualifikohen në kompeticionin që është zhvilluar në Japoni dhe Korenë e Jugut.

Lamtumira e Van Galit nga stoli portokalli ka qenë e dhimbshme, por ish-trajneri i Bajernit të Mynihut duhet të jetë i etur për hakmarrje. Trajneri është aktualisht pa punë dhe ka konfirmuar se kërkon të marrë drejtimin e një kombëtareje të madhe edhe një herë.

RUD GULIT

Një nga emrat më befasues, Gulit nuk ka arritur asnjëherë të bindë si trajner te Fejnordi, Los Anxheles Galaksi ose Terek Grozhni. Pavarësisht nga kjo, drejtimi i kombëtares është një gjë totalisht e ndryshme.

Për më tepër, Gulit ka një reputacion prestigjioz për shkak të karrierës së tij si futbollist dhe mund të jetë ambasadori ideal për futbollin holandez. Fituesi i Euro 1988-ës është i lirë për momentin dhe do ta zëvendësonte me dëshirë teknikun Van Marvijk.

RONALD KUMAN

Trajneri aktual i Fejnordit ka bërë të ditur më shumë se një herë se ai synon të marrë drejtimin e Holandës në një moment të caktuar të karrierës së tij, por nuk e ka përjashtuar mundësinë për tu larguar nga detyra aktuale në javët e fundit.

Megjithatë, gjithçka mund të ndodhë në futboll dhe emri i ish-trajnerit të Ajaksit, PSV-së, Benfikës dhe Valencias nuk mund të hiqet nga lista e kandidatëve.

FRANK RAJKARD

Ashtu si Van Gal dhe Hidink, Rajkard ka stërvitur në të kaluarën Holandën. Nën drejtimin e tij Tulipanët janë eliminuar nga Italia me penallti në gjysmëfinalet e Euro 2000. Kanë kaluar 12 vite që nga ai moment dhe Rajkard ka krijuar një reputacion si trajner.

Ish-futbollisti ka drejtuar Barcelonën drejt shumë sukseseve, duke fituar Ligën e Kampionëve në 2006-ën, momenti më i rëndësishëm i karrierës së tij si trajner. Aktualisht Rajkard drejton Arabinë Saudite.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›