E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministria e Mbrojtjes jep detaje mbi situatën e zjarreve në vend: Janë shuar pesë vatra, zjarri ende aktiv në Vlorë dhe Kukës

Dy vatra zjarri janë ende aktive në vend, teksa pesë të tjera janë shuar. Informacioni u bë me dije nga Ministria e Mbrojtjes, sipas së cilës flakët vijojnë të jenë aktive në  në vendin e quajtur Vumlo në afërsi të fshatit Kudhës në qarkun e Vlorës dhe në fshatin Kolsh në Kukës.

Në Vumlo, zjarri u izolua fillimisht, por për shkak të intensitetit të erës dhe nxehtësisë, flakët u përhapën në një sipërfaqe ku është e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të vështirë. Ministra njofton se po punohet me mjete rrethanore dhe pompa shpine nga forca të MZSH dhe Shërbimi Pyjor. Fatmirësisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në fshatin Kolsh, njësia administrative Mamëz, po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, me 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, 1  fadromë, 1 ekskavator, 4 kamionë nga Drejtoria e Shërbimeve të Bashkisë.

Ndërkohë u bë e mundur fikja e zjarrit në fshatin Ndërfan, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, në zonën e Astirit, njësia administrative 14, bashkia Tiranë, në lagjen “Ish-Fidanishtja”, njësia administrative Rajoni 5, bashkia Vlorë, në fshatin Amonicë, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë dhe në fshatin Shijon, njësia administrative Bradashesh, bashkia Elbasan.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›