E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Mbrojtjes po favorizon epideminë

I njëjti institucion që dha pëlqimin, mohon ndërhyrjen në rrjetin e amortizuar të ujësjellësit të uzinës së armëve, që mendohet të jetë shkaktari i virusit që preku 120 persona. I kërkohet ndihmë qeverisë

POLIÇAN- “Dikasteri i Mbrojtjes po rrezikon jetën e 6 mijë banorëve të Poliçanit, pasi nuk po lejon ndërhyrjen në ujësjellësin e kombinatit të armëve”. Kështu u shpreh dje kreu i bashkisë së këtij qyteti, Adriatik Zotka, sipas së cilit, vetëm dy ditë më parë, me urdhër të kësaj ministrie, nuk janë lejuar të të hyjnë në territorin e kombinatit të armëve, specialistët që do të merreshin me ndërhyrjen në rrjetin e ujësjellësit që kalon në zonën ushtarake, që është nën juridiksionin e Ministrisë së Mbrojtjes. “Nuk e dimë nga kush është firmosur ky urdhër absurd, nga ministri apo nga ndonjë zyrtar që kërkon të luajë me jetën e banorëve të Poliçanit”, theksoi kryebashkiaku. Vetëm katër ditë më parë, kjo ministri, me në krye Gazmend Oketën, dha “OK” për rikonstruksionin e tubacioneve të amortizuara, por sapo u morën masat për këtë ndërhyrje, punonjësit nuk janë lejuar të futen në ambinetet e brendshme të kombinatit. Zotka kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë, në mënyrë që epidemia që ka pushtuar këtë qytet, të mos japë pasoja fatale. “Vetëm pak orë më parë, si për çudi, e njëjta ministri që dha pëlqimin, anulloi edhe vendimin”, tha kryebashkiaku në fjalën e tij, duke shtuar se nuk dihet përse është ndërmarrë ky hap. Ai e cilësoi të rrezikshëm vendimin që paraqet rrezik për jetën e banorëve të qytetit të Poliçanit, shumë prej së cilëve ndodhen ende të izoluar, për shkak të sëmundjes ngjitëse dhe të rrezikshme nga e cila u prekën të paktën 120 persona. “Jemi në pritje të një përgjigjeje nga qeveria, për të ndryshuar këtë urdhër absurd, me qëllim që të nisin sa më parë punimet në rrejtin e ujësjellësit që kalon nën zonën ushtarake, ku mendohet se e ka zanafillën problemi”, përfundoi Zotka. Sipas specialiatëve, kanalizimet nën kombinatin e armëve, ku kalon uji që përfundon në çezmat e konsumatorëve, krijojnë një “xhep” të favorshëm për depozitimin dhe kontaminimin e ujit me elementë të rrezikshëm kimikë nga municionet. Një raporti i Ministrisë së Shëndetësisë përcaktoi si vendin e ndotjes pikërisht rrjetin në zonën ushtarake, i cili prej 50 vitesh nuk i është nënshtruar asnjë rikosntruksioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›