E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra Kombëtare e Trajtimit të Fëmijëve të Ngujuar

Autori i Lajmit: red.
Qendra e vetme në vend, ku trajtohen fëmijët e prekur nga gjakmarrja, pritet të marrë statusin e Qendrës Kombëtare të Trajtimit të Fëmijëve të Ngujuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me propozim të Shërbimit Social Shtetëror. Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Vilma Premti, ka shpjeguar dje për mediat rëndësinë e këtij statusi duke nënvizuar se "satusi i një qendre kombëtare për fëmijët e ngujuar shkon paralelisht me reformat e sistemit të mbrojtjes sociale të fëmijëve, përmes të cilave një vëmendje e veçantë po i kushtohet mbështetjes dhe përkujdesit për fëmijët e rrezikuar nga ngujimi dhe gjakmarrja". Qendra e përkujdesit social për fëmijët me probleme gjakmarrjeje u ngrit dy vjet më parë me mbështetjen e Bankës Botërore në kuadër të projektit "Shpërndarja e Shërbimeve Sociale". Ajo funksionon mbi bazën e marrëveshjes së lidhur në vitin 2006 midis Njësisë së Menaxhimit të Projektit (MPCSSHB), dhe Shoqatës "Për edukim arsimor e social të fëmijëve të ngujuar e në nevojë", e cila menaxhon këtë qendër. Sipas Premtit, në këtë qendër rezidenciale, vendndodhja e së cilës nuk bëhet publike, trajtohen gjithsej 20 fëmijë, nga të cilët 7 vajza dhe 13 djem të moshës 6-14 vjeç. Fëmijët përgjithësisht janë vëllezër dhe motra nga komunat e Shkodrës si Curraj i Epërm, Dukagjin, Shosh, Shalë, Gjinaj si dhe lagjet rreth qytetit Shkodër, Kiras dhe Bunë, Postribë. Për të siguruar jetën e fëmijëve, godina ruhet nga personeli i Policisë së Shtetit dhe fëmijët shoqërohen për vajtje-ardhje në shkollë. Në qendër ofrohet akomodim, veshje, ushqim, kujdes mjekësor, programe për zhvillimin dhe socializimin e fëmijëve, aktivitete social-kulturore dhe mbështetje për ndjekjen e shkollës. Qendra vlerësohet të ketë një kapacitet për afro 100 fëmijë që mund të vijnë nga zona e Shkodrës dhe rrethe të tjera me probleme të gjakmarrjes. "Për të siguruar vazhdimësinë e aktivitetit të këtij shërbimi, pas përfundimit të projektit të Bankës Botërore dhe nisur nga nevojat për zgjerimin e kapaciteteve pritëse të Qendrës, i kemi propozuar Ministrisë së Punës kthimin e saj në një institucioni kombëtar, me statusin e Qendrës Kombëtare të trajtimit të fëmijëve të ngujuar",- deklaroi Premti. Për këtë do të nënshkruhet një marrëvëshje ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Qendra do të shndërrohet në një institucion rezidencial i përkujdesit shoqëror në vartësi të Shërbimit Social Shtetëror. Struktura e stafit të Qendrës, pagat, mënyra e financimit dhe shpenzimet për ofrimin e shërbimeve, do të përcaktohen me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave. Masat e marra, sipas Premtit, synojnë garantimin e vazhdimësisë së funksionimit të Qendrës, përmbushjen e kushteve të sigurisë së lartë dhe e standardeve të shërbimeve të ofruara për këtë kategori specifike të fëmijëve në nevojë. Me mbështetjen e UNICEF dhe donatoreve, në disa qytete dhe qarqe, aktualisht, janë ngritur Zyrat për Mbrojtjen e Fëmijëve, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm edhe në drejtim të trajtimit të fëmijëve që rrezikohen nga gjakmarrja. Në kuadër të përmirësimit të ligjit për ndihmën ekonomike, parashikohet trajtimi i veçantë edhe për familjet që janë të ngujuara për shkak të gjakmarrjes. Po kështu, masa të tjera do të merren për lehtësimin e shkollimit të fëmijëve që rrezikohen nga gjakmarrja. Falë punës nga DAR/ZA, si organizata të ndryshme joqeveritare, për sensibilizimin e opinionit, por dhe të familjeve që janë në gjakmarrje, numri i fëmijëve të ngujuar po zvogëlohet vazhdimisht.
Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›