Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik në lidhje me procedurën e ankandit “Shitje lëndë e parë e KFA”
Traktet e Partisë Socialiste vijuan sot serinë e sulmeve kundër Ministrit të Mbrojtjes me një fushatë shpifjesh dhe mashtrimi për një procedurë ankandi tërësisht ligjore dhe të anuluar nga vetë Ministria e Mbrojtjes.
Sqarojmë opinionin publik se asnjë vendim i Ministrisë së Mbrojtjes nuk është marrë dhe nuk merret në varësi të shpifjeve të këtyre medieve të dirigjuara nga interesa klienteliste dhe partiake.
Procedura në fjalë me objekt “Shitje lëndë e parë e KFA”, është anuluar nga Ministri i Mbrojtjes me datë 22.08.2013, për shkak se vetë Drejtoria e Prokurimeve kishte konstatuar pasaktësi në përcaktimin e çmimeve të disa prej artikujve nga 1302 të tillë.
Kjo drejtori i ka kërkuar Komisionit të Posaçëm të Vlerësimit rivlerësimin e këtyre çmimeve. Vetë Komisioni ka pranuar pasaktësitë në përcaktimin e çmimeve, të cilët ishin lënë sipas vlerës së tyre të ardhur nga komanda përkatëse.
Me këtë motivacion dhe bazuar në ligjin e ankandit publik nr 9874 date 14.02.2008, Kreu III, Neni 13, pika 1 ku citohet: “Autoriteti shitës lejohet që, në çdo kohë, të anulojë ankandin, për arsye të interesit publik, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës. Autoriteti shitës në asnjë rast nuk është i detyruar të shpallë fituesin për një ankand”, Ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar anulimin e kësaj procedure duke e rikthyer tek Komisioni i Posaçëm i Vlerësimit për rishikim të çmimeve njësore të gjithë artikujve. Ky njoftim u dërgua për publikim në buletin me datë 22.08.2013 dhe është botuar në buletinin e datës 26.08.2013.
Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë të gjitha shpifjet dhe spekulimet e qëllimshme të disa medieve të kapura, qëllimi i të cilave nuk është në asnjë moment e vërteta, por nxirja e realitetit dhe punës së shkëlqyer që është bërë në Ministrinë e Mbrojtjes.