E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Shëndetësisë: Realizohet me sukses trajtimi i hernies inguinale me laparoskopi në Spitalin Memorial në Fier

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se në Spitalin Rajonal Memorial Fier vijojnë të realizohen ndërhyrje moderne falë profesionalizmit të stafit mjekësor dhe teknologjisë së avancuar.

Sipas njoftimit, mjekja Artiola Todaj, pjesë e ekipit spitalor prej disa muajsh, ka kryer me sukses trajtimin e një hernie inguinale me laparoskopi. Kjo teknikë minimale invazive, e cila përdor incizione të vogla dhe një kamerë për riparimin e defektit të murit muskulor, mundëson rikuperim më të shpejtë, më pak dhimbje dhe plagë më të vogla krahasuar me kirurgjinë e hapur.

Spitali Rajonal Memorial Fier, një investim i Turqisë, është i pajisur me kapacitet prej 150 shtretërish dhe ofron shërbime të nivelit terciar për rajonin e jugut të vendit. Ky institucion është i pari në Shqipëri që aplikon modelin e autonomisë spitalore.

Në këtë spital ofrohen shërbime të avancuara në fusha si: urgjencë, kirurgji e përgjithshme, neurokirurgji, kirurgji kardiovaskulare, mjekësi interne, kardiologji, neurologji, sëmundje infektive, pneumologji, ortopedi dhe traumatologji.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›