E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria maqedonase diskriminon nxënësit shqiptarë

Prindërit e nxënësve shqiptarë të paregjistruar në shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë janë shprehur të dëshpëruar dhe të diskriminuar nga anashkalimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ata kërkojnë që të gjindet zgjidhje për regjistrimin e fëmijëve të tyre në shkollën e mjekësisë, duke pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për arsimim të mesëm të obliguar. Drejtoria e shkollës “Nikolla Shtejn”, duke parë gjendjen se fëmijët kanë ngelur në rrugë, ka pranuar rreth 70 nxënës prej tyre, duke i sistemuar në disa klasa në drejtimet e mjekësisë, deri në gjetjen e zgjidhjes, ndërsa një pjesë e tyre janë shpërndarë nëpër shkolla tjera.
 
“Kjo do të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme, derisa të arrijmë një zgjidhje konkrete për t`i regjistruar këta nxënës në drejtimet që kanë preferuar”, ka theksuar juristja e kësaj shkolle, Gëzime Shabani.  Këshilli i prindërve ka bërë të ditur se pas festës së Bajramit, sërish do të nisin me protesta deri në gjetjen e një zgjidhje konkrete, duke hapur paralele shtesë për fëmijët e tyre.
 
“Do të shkojmë deri në fund me kërkesat tona, çdo zgjidhje tjetër do të jetë e papranueshme”, ka theksuar Muharrem Ramadani nga këshilli i prindërve. Ministria e Arsimit javën e kaluar deklaroi se është kundër hapjes së paraleleve shtesë në shkollën e mjekësisë “Nikolla Shtejn”. (ina/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›