E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Duhet ende vëmendje ndaj krizës

Duke folur në Konferencën e tetë ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, e cila zhvilloi punimet sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të lartë të ekonomisë nga vendet e rajonit e më gjerë, ai u shpreh se, "pikërisht tani, është momenti kur duhet vënë si duhet në funksionim strategjia e tërheqjes dhe daljes me sukses nga kriza".     

"Është detyra jonë si politikëbërës që ta bëjmë atë të funksionojë me rregullat përkatëse prandaj duhen koordinuar të gjithë elementët. Tani jemi në situatë më optimiste dhe ka një rimëkëmbje të sistemit financiar, por ajo që duhet të bëjmë është të vlerësojmë tani se çfarë mësuam dhe çfarë nuk mësuam dot nga kriza ekonomike", tha Fullani.

Sipas tij, viti që kaluam ishte më i vështiri që kemi përjetuar dhe integrimi i tregjeve financiare bëri që kriza të përhapet me shpejtësi e të transformohet në një recension të madh, i cili nuk la paprekur edhe vendet e Evropës Juglindore ku ne bëjmë pjesë.

"Por nënvizoi Fullani, analizuam faktorët e krizës dhe bëmë një rivlerësim të faktorëve mbikqyrës për të shpëtuar prej saj. Shkalla e vlerësimit ndaj parashikimeve dhe rëndësia e masave parandaluese paraqet një faktor vendimtar për të luftuar krizat".

Bankierë të nivelit të lartë nga vendet e Evropës Juglindore, diskutuan gjatë punime të kësaj konference rreth qëndrimeve, masave dhe eksperiencave të tyre në lidhje me situatën e krizës financiare botërore që preku tregjet ndërkombëtare, vitin e fundit. Kryefjala në punimet e këtij aktiviteti ishte stabiliteti financiar, si faktor i rëndësishëm për të patur një sistem bankar e financiar të shëndoshë në kohë të vështira, i cili kontribuon fuqishëm në zhvillimin e qëndrueshëm makroekonomik të një vendi. 

Konferenca, e konceptuar me tre panele diskutimi, trajtoi çështje shumë të rëndësishme të momentit, siç është kriza financiare globale dhe efektet e saj. Në dy panelet e para, të ftuarit nga bota akademike, bankare e financiare ndërkombëtare, diskutuan krizën me të gjitha elementet e saj përbërëse si dhe ndikimin që ka patur ajo në ekonomitë e Evropës Juglindore. Ndërsa paneli i tretë mblodhi në një tryezë të përbashkët Guvernatorët dhe Zëvendësguvernatorët e bankave qendrore të rajonit, të cilët diskutuan rreth qëndrimeve, masave dhe eksperiencave të tyre në situatën e krizës.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›