E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni i SHBA në OSBE përshëndet qeverinë shqiptare

"Qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë fronte në këto zgjedhje dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë lavdërime për pjesëmarrjen në numër të madh në votim dhe për zhvillimin paqësor dhe me rregull të zgjedhjeve". Znj. Fuller shprehet se "rezultati i votës përfaqëson qartë vullnetin e popullit shqiptar",thuhet në deklaratë. 

"Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vuri re se zgjedhjet, edhe pse nuk shfrytëzuan potencialin e plotë të Shqipërisë, arritën shumicën e angazhimeve të OSBE-së dhe demonstruan përmirësime thelbësore në procesin e regjistrimit të zgjedhësve, kornizën ligjore, në votim, numërim e votave dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore", vlerësohet në këtë deklaratë. Në këtë drejtim, znj. Fuller thekson se "Qeveria e Shqipërisë ka bërë një punë të besueshme në zhvillimin e instrumenteve të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme".

 "Dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor të miratuar në fund të vitit 2008, patën vlerë në reformimin e procesit zgjedhor. Nxjerrja e listave të zgjedhësve nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte gjithashtu një zhvillim domethënës dhe pozitiv", thuhet më tej në këtë deklaratë ku vlerësohen edhe përpjekjet e KQZ-së për të përgatitur dhe administruar zgjedhjet me profesionalizëm dhe transparencë.

Megjithatë, Misioni i SHBA-së në OSBE konstaton se "disa prej këtyre përmirësimeve nuk rezultuan plotësisht në një klimë të përmirësuar besimi, që patën si synim të çonin përpara".  "Kjo ishte veçanërisht e vërtetë në fushën e njëanshmërisë së medias dhe politizimin e aspekteve të votimit. Politizimi i aspekteve teknike të procesit, përfshirë gjatë procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit, si dhe shkelje të vëzhguara gjatë fushatës, minuan besimin publik në procesin zgjedhor. Ne jemi dakord me ODIHR-in se zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet shumë në angazhimin e të gjitha partive politike për të respektuar qëllimin e ligjit", vijon deklarata.

Në përfundim, Misioni i SHBA-së në OSBE shpreh besimin se "Qeveria dhe populli i Shqipërisë do të studiojnë me kujdes rekomandimet e gjithanshme të ODIHR-i  dhe do të promovojnë ndryshimet e nevojshme për Shqipërinë për të realizuar potencialin e saj për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike".  "Ne do të donim edhe një herë të përshëndesnim OSBE-në, përfshirë ODIHR-in dhe Asamblenë Parlamentare, mbi një mision tjetër vëzhgimi zgjedhjesh të mirëmenaxhuar", përfundon kjo deklaratë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›