Ministria pranon kërkesat, studentët e Kamzës dalin nga greva
TIRANË (UPDATE) - Studentët e Kamzës kanë dalë fitimtarë nga greva e urisë. Ministria e Arsimit pas negociatave më të fundit me grevistët ka pranuar kërkesën e tyre për heqjen e notës mesatare si kusht për ndjekjen e DND-së.
Rektori i Universitetit Bujqësor ka deklaruar gjatë një pronocimi televiziv se mesatarja nuk do të jetë kusht për ndjekjen e DND-së për këtë vit, pasi pranoi se këta studentë nuk janë njoftuar në kohë për ndryshimin e kritereve.
Paraditen e sotme, gjendja shëndetësore e 15 studentëve grevistë të Universitetit Bujqësor të Kamzës u përkeqësua, madje njëri prej tyre u dërgua në Urgjencë, pasi humbi ndjenjat.
Dekani padit në polici studentët grevistë
Ndërkohë dekanati jo vetëm që nuk ka asnjë zgjidhje për problemin e tyre por edhe i ka paditur studentet në polici për uzurpim të ambienteve dhe prishje të mësimit.
Studentët e Agrobiznesit kanë përshkallëzuar protestën e tyre për heqjen e kriterit të mesatares duke bllokuar procesin mësimor. Nga ana tjetër shokët e tyre vazhdojnë grevën e urisë prej disa ditësh. Sot në mëngjes studentët protestues nuk kanë lejuar pedagogët dhe studentët e tjerë të hyjnë në mësim duke bllokuar derën e fakultetit.
Dekani i Fakultetit të Ekonomi-Agrobiznes, Bari Musabelliu ka bërë një kallëzim penal ndaj studentëve për uzurpim të ambienteve të godinës. Studentët e fakultetit të Agrobiznesit dhe Ekonomisë kërkojnë të vazhdojnë studimet dy vjeçare për t'u pajisur me diplomë të nivelit të dytë. Pengesë për të realizuar këtë bëhet kriteri mesatare i vendosur nga dekanati i këtij fakulteti.
Studentët protestues thanë se do të bëjnë gjithçka që zëri i tyre të dëgjohet. Sipas tyre është absurde që të mos lejohen të ndjekin studimet e larta, kur zbatohet sistemi i Bolonjës 3+2 dhe dyvjeçari në çdo fakultetet të vendit është pa mesatare. Ministria e Arsimit në një prononcim për 'Shekullin' tha se ne s'mund të ndërhyjmë pasi shkelet autonomia e universitetit.