Ministrit Bujar i ka humbur nishani
I lodhur dhe i stërmunduar për të nxjerrë diçka në dritë nga katrahura që qeveria e berishajve ka gatuar në ministrinë e Brendshme, Ministrit Bujar i kishte humbur nishani. Fjalët e tij qëlluan krejt jashtë objektivit duke e identifikuar si një qitës të dobët, pavarësisht se është nga ata qeveritarë që i ka rënë radha dy herë të nusërojë në ministrinë e policëve. Tendenca për ti rënë në periferi gjërave, e për të mbledhur me pikatore ca suksese nuk ishin gjë tjetër veçse tymëse me të cilat Bujari tentoi të mjegullonte shikimin e gazetarëve të pranishëm, të publikut dhe të fshihte atë që është dështimi i turpshëm i situatës së kriminalitetit.
-E nisi me mbytjet në ujë të shkodranëve. U mburr se nuk vdiq njeri. Por nuk tha asgjë se pse u mbyten 5 herë për një vit. A kishte faj kjo qeveria ku ai bën pjesë ? Nuk tha se cfarë pasojash në ekonomi, bagëti e jetesë kishin banorët dhe sa qeveria e tij i kompensoi? Por harroi të thotë se me 8 maj elektorati i komunave të Velipojës, Berdicës dhe Anës së Malit e ndëshkuan shpëtimtarin Bujar duke votuar për PS pikërisht për shkak të papërgjegjshmërisë së Saliut, Jozefinës e Nishanëve të tjerë të familjes së gaztorëve të mësipërm. Mos më pyet pse të mbyta shtëpinë, bagëtinë, arat me të mbjella e të korra, por më falendero se të shpëtova gjallë, thotë Nishan Saliu. Populli i atyre zonave jua pagoi faturën e suksesit këtyre.
-Foli për vrasjen e gjyqtarit. Tha se policia ka deërguar prova dhe informacione me vlerë. Por nuk tha se nuk është zbuluar asgjë. Indirekt u mundua ta shmangë policinë nga përgjegjësia e zbulimit. Por nishani i tij dhe këtu dukej foshnjor. Policia e ka detyre funksionale zbulimin, parandalimin, goditjen dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminalë. Detyrat e policisë nuk janë vetëm në vendngjarje i dashur ministër. Nëse nuk e di, pyet, e nëse te vjen turp të pyesësh,kurse pak kohë nga përkthimi i ideve të Berishës për suksese imagjinare dhe lexo nganjëherë ligjin me çfarë detyrash e ngarkon policinë.
-Foli për 21 janarin. Tha se policia mbrojti institucionet. Dhe këtu gjuajti për laraska. Policia e tij u drejtua atë ditë nga një grup bodyguard-ësh të Berishës. Drejtuesit profesionalë dolën jashtë loje. Hyri në veprim kur shkalla e dhunës nuk ishte e lartë dhe nuk kishte lidhje me institucionin. Përdori gazin lotsjellës pa siguruar policët që u bënë dhe vetë viktimë e gazit. Policia ishte inekzistente më pas. U largua nga vendi i shërbimit. Çfarë institucioni ruajti policia jote se unë nuk e kuptoj?!!! Policia bëri lojën e një grackë ordinere që zinte fill te zyra e Lule Bashës dhe suflerit të tij socialistit të vërtetë,iI cili i thoshte që sulmoi se janë frikacakë. Kur isha unë aty, isha trim. Lënia e kryeministrisë pa këmbë polici ishte një manovër ordinere që synonte te tërhiqte demonstruesit brenda kryeministrisë. Të gabuar në strategji dhe të tërbuar për dështimin, vranë njerëz të pafajshëm ne bulevard o shoku Bujar. Policët e tu nuk ishin gjëkundi, aty ishte Saliu, bodyguard-ët e tij në vite dhe garda që ekzekutoi njerëzit në rrugë për të kënaqur shijet gadafiste të kryeministrit
- U tha se janë zbuluar kaq e aq ngjarje të vjetra. Por nuk u tha se kriminaliteti është rritur me 30 %. Dhe se ka katër vjet që vjen në ngritje të vazhdueshme. Se vrasjet janë shtuar ndjeshëm dhe kanë kapur shifrën 150. Se Maqedonia fqinje e ka 36 numrin e vrasjeve o Nishan. Nuk fole për vjedhjet që kanë marrë dhenë e janë jashtë kontrollit. Nuk përmende asgjë për deputetin, kryetarin e komunës, për policet e vrarë, për eksplozivin e zv/drejtorit të policisë që nuk i ka zbuluar. Nuk the gjë se aksidentet kanë bërë e po bëjnë kërdinë. Se vetëvrasjet janë bërë mode e ditës etj. Nuk the asgjë se zv/drejtorja e re e policisë është gruaja e një deputeti të PD dhe që punon në ministrinë e Brendshme vetëm prej 7 viteve. Asnjë ligj në botë nuk e lejon në ketë post me kaq karrierë. Për sot kaq. Se do rishihemi së shpejti bashkë në analizën një për një të kriminalitetit që ti nuk pate kurajo e nishan ta përmendësh se e di gjendjen mirë.
