E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministritë bosh, ja emrat e përfolur në PD

11/04/2011  Seanca e 14 prillit, data e fundit për zëvendësimin e dy ministrave të dorëhequr

Kryeministri ka deklaruar se do të emërohen përpara zgjedhjeve lokale të 8 majit

Kryeministrit Sali Berisha, përveç sprovës së fushatës që ka me kundërshtarin e tij Edi Rama, në këtë javë që sapo hyri i duhet të përballet dhe me dy përzgjedhje aspak të lehta. Bëhet fjalë për caktimin e emrave të dy ministrave të rinj, ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Kulturës, poste të cilat janë lënë vakant për shkak të kandidimit të Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës, dhe Ferdinand Xhaferajt për Bashkinë e Durrësit. Në dukje, duke parë dhe organizimin e PD-së, por edhe mënyrën se si e drejton Kryeministri, mund të duket diçka e lehtë, por zëvendësimi i tyre në fushatë dhe qejfmbetjet që mund të lindin e bëjnë këtë zgjedhje një mision të vështirë. Ruajtja e balancave dhe shmangia e ndonjë situate të papëlqyer duket se po sjellin dhe vonesat në caktimin e emrave.

Deklarata

Në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Berisha do të deklaronte se ministrat do të zëvendësohen para fushatës, duke hequr kështu çdo dilemë se kryetari i mazhorancës do të priste përfundimin e përballjes elektorale për të dërguar emrat për dekretim te Presidenti. Dhe në rast se vërtet Berisha do i përmbahet atij zotimi, atëherë si ka mbetur datë tjetër përveç se ajo e 14 prillit, kur është dhe seanca e fundit përpara zgjedhjeve, sipas një marrëveshjeje të bëra nga të dyja partitë. Në dukje, vihet re se Kryeministri është përqendruar vetëm te fushata, por s’është aspak kështu. Lëvizjet brenda PD-së për të marrë postet e shumëlakmuara kanë filluar prej kohësh, shumë më parë se dhe vetë Basha apo Xhaferraj të shpallnin ambicien e tyre për t’u bërë kryeqytetarë, njëri i Tiranës dhe tjetri i Durrësit.

Emrat

Por cilët janë emrat që qarkullojnë nëpër zyrat e Partisë Demokratike, si kandidatura për të qenë pjesë e ekzekutivit. Për Ministrinë e Kulturës është përfolur emri i Mesila Dodës, por nuk përjashtohen dhe emra të tillë si Gert Bogdani apo Lajla Përnaska. Ministria e Brendshme është ajo që hap më shumë andralla. Në gjirin e PD-së ka një mori juristësh, që pretendojnë për këtë post të rëndësishëm. Ilir Rusmajli, Viktor Gumi apo Gent Strazimiri janë emra, të cilët nuk përjashtohen nga përzgjedhja e Berishës. Gjithsesi, zgjedhja i mbetet Kryeministrit, i cili të paktën në përzgjedhjen e kabinetit, sërish mbetet i paparashikueshëm. Natyrisht që posti i ministrit të Brendshëm, përpos profesionalizmit është dhe një post shumë delikat, i cili mund të shkaktojë jo pak qejfmbetje. Nuk përjashtohet mundësia që Berisha të bëjë një përzgjedhje jashtë grupit parlamentar, si në rastin e Enkelejd Alibeajt, në vitin 2007, sot deputet i i PD-së, që asokohe ishte drejtor i Auditit në Kryeministri.

Lulzim Basha

Lulzim Basha dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm më 23 prill, menjëherë pas deklarimit një ditë më parë si kandidati potencial për bashkinë më të madhe në vend. Karriera e Bashës, përpos një historie suksesi që lidhet me rrugën Durrës -Kukës, anëtarësimin në NATO dhe së fundi me liberalizimin e vizave, ka kaluar dhe nëpër shënjestrën e opozitës, e cila e shikonte si një kundërshtar të fortë të Ramës.

Ferdinand Xhaferaj

Ferdinant Xhaferaj, kandidati për Bashkinë e Durrësit, dha dorëheqjen vetëm pak ditë më parë se të fillonte fushata, kur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar u zyrtarizua për t’u përballur me Vangjush Dakon e PS në qytetin bregdetar. Në fakt, Xhaferaj e ka kërkuar këtë kandidim që në vitin 2003, kur ishte anëtar i demokratëve të reformuar të Genc Pollos, dhe më pas në vitin 2007, kur Berisha preferoi të vendoste Armand Telitin në Durrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›