Ministritë, si paguhen dy persona për të njëjtin pozicion pune

Ministrat Ksera, Mediu dhe Tafaj në mbledhje qeverie / foto LSA
Emirjon Senja
Zëvendësimet e punonjësve të ministrive dhe drejtorive të ndryshme në baza partiake po i kushton tepër shtrenjtë buxhetit të shtetit, i cili herë pas here është i detyruar të paguajë dy paga për të njëjtin pozicion pune, për faj të drejtuesve të institucioneve shtetërore. Një fenomen i tillë vërehet gjerësisht në raportet e kontrollit të Komisioni të Shërbimit Civil në disa ministri duke dhënë alarmin për dëmin e madh që i shkaktohet arkës sonë të përbashkët. Shembujt më tipik të këtij lloji gjenden nëpër ministri.
E tillë është Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Jashtme etj. KSHC ka kryer një kontroll në vjeshtën e vitit të shkuar nw Ministrinw e Punws duke nxjerrë në pah miliona lekë dëme pasi për të paktën gjashtë raste, të gjitha për aparatin qendror të ministrisë, buxheti i shtetit paguan dy paga për të njëjtin pozicion pune. Nga të dhënat e ofruara prej Komisionit të Shërbimit Civil del se dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit vetëm nga ky fenomen është rreth 11 milionë lekë.
Kjo situatë është dhe më problematike, kur dihet se pëfundimi i një procedure gjyqësore zgjat edhe disa vjet, e për pasojë mosveprimi në kohë në këtë rast, përveç faktit që nuk respektohen të drejtat e nëpunësit për t`u kthyer në pune, sjell edhe një faturë të lartë financiare, e cila llogaritet në dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. Kjo për faktin se nga njëra anë është i detyrueshëm ekzekutimi i vendimit gjyqësor, i cili ka marrë formë të prere e nga ana tjetër, është bërë fakt pagesa për gjithë këtë kohë, e një nëpunësi të emëruar përkohësisht në këtë pozicion, nëpërmjet kontratës. Pra, përfundimisht në këtë rast shteti paguan njëkohësisht dy persona për një pozicion pune, – deklaron KSHC në raportin e saj për Ministrinë e Punës.
Si funksionon?
Loja është e njëjtë thuajse në të gjithë institucionet: Fillimisht punonjësi që është në detyrë largohet prej saj me arsyetime të ndryshme, siç është shkurtimi i vendit të punës, ristrukturimi i njësisë etj., dhe më në vend të tij vendoset një person tjetër, fillimisht me kontratë të përkohshme, e cila i rinovohet në mënyrë të vazhdueshme edhe pse ligji përcakton se asnjë punonjës nuk mund të mbahet në punë nëpërmjet kontratave të përkohshme për një periudhë më të gjatë se 2 vjet. Eksperienca e gjithë këtyre viteve ka treguar se në raste të tilla vendosen njerëz të përzgjedhur nga eprorët.
Më pas, ai që është larguar nga puna ankohet në Komisionin e Shërbimit Civil për shkak se gëzon statusin e nëpunësit civil. KSHC vendos në favor të personit që është nxjerrë me pa të drejtë nga puna dhe kërkon pagesën e tij për të gjithë periudhën në fjalë. Institucioni ndërkohë, nuk merr parasysh vendimin por e dërgon çështjen në gjykatë. Gjatë kësaj periudhe, shteti është i detyruar që të paguajë dy paga për të njëjtin pozicion pune. Paga e parë i jepet personit që është futur me kontratë të përkohshme në punë kurse e dyte atij në favor të të cilit ka vendosur gjykata. Institucioni nga ana e tij deklaron se do të bëjë rikthimin në punë të personit të nxjerrë padrejtësisht pasi të jetë dhënë vendimi i formës së prerë nga gjykata.
Një fenomen i tillë ka gjetur një shtrirje të gjerë në administratën publike kryesisht pas zgjedhjeve të vitit 2005 kur edhe u ndërrua pushteti. Madje, ka persona që përfitojnë ende pagë që prej atij viti pasi janë nxjerrë në mënyrë të padrejtë nga puna duke rënduar edhe më tej buxhetin e shtetit.
Konkurset, fitojnë njerëzit e eprorëve
Fenomeni i punësimit me kontrata të përkohshme shtrihet thuajse në të gjitha institucionet e qeverisjes qendrore në vend. Ngjashëm me Ministrinë e Punës sillen edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë etj. Madje KSHC merr shembull Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në këtë rast. Sipas raport-kontrollit, në këtë drejtori paguhen 58 paga për 29 vende pune, dy paga për një vend pune. Në këtë institucion janë pushuar ose nxjerrë në listë pritje 29 punonjës nga 1 606 që ka në total. Këta e kanë apeluar vendimin duke përfituar përkundrejt marrjen e pagës. Dhënia e pagës do të vijojë deri në lëshimin e një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.
Në këtë mënyrë, institucioni ose duhet të kthejë në vendin e punës punonjësit ose duhet të vijojë ti paguajë si të punësuar. Pas përfundimit të procedurave gjyqësore, punonjësit që kanë fituar të drejtat e tyre do të paguhen për shkak të ligjit për të gjithë kohën që kanë qëndruar pa punë, ndërkohe që nuk kryejnë punë efektive, ndërsa punën e kryejnë disa punonjës të tjerë, të cilët janë në këto pozicione të emëruar me pretendimin e emergjencës, nëpërmjet kontratës se përkohshme të punës, e për këtë arsye edhe paguhen nga buxheti i shtetit, – shpjegon KSHC në raport.
Por ky nuk është i vetmi problem i administratës. Komisioni ka vërejtur në mjaft raste procedura të dyshimta të rekrutimit të punonjësve nëpër institucione pavarësisht zhvillimit të konkurseve.Në rastet kur ka vende pune të lira, institucioni emëron fillimisht një person të caktuar me një kontratë të përkohshme duke e justifikuar me nevojat e emergjente. Sipas rregullit, personi duhet të rrijë deri në plotësimin e vendit të punës nëpërmjet konkursit.
Sipas ligjit, punësimi i një personi në administratën publike nuk mund të bëhet për një kohë më të gjatë se tre muaj me kontratë. Menjëherë pas kësaj duhet të kryhet plotësimi i vendit bosh duke i dhënë punonjësit të e përzgjedhur statusin e nëpunësit civil. Konstatohet se në të gjitha konkurrimet e zhvilluara kanë fituar punonjësit, të cilët kanë qenë të emëruar nëpërmjet kontratave si dhe duke kryer efektivisht detyrat e këtij pozicioni edhe gjatë kryerjes së procedurës së konkurrimit,- shpjegon KSHC-ja në raportin e Mbikëqyrjes në Ministrinë e Jashtme.