Kriza italiane, emigrantët dhe kultura qeveritare
Luan Shmilli
Gazetat italiane këtë fundjavë janë hapur me një lajm vërtetë tragjik: 23 drejtues ndërmarrjesh të ndodhur në faliment dhe në pamundësi prodhimi, i kanë dhënë fund jetës së tyre që nga fillimi i këtij viti. Bëhet fjalë për Italinë, një nga vendet më të industrializuara të globit dhe e treta në BE. “Vrasje shtetërore” i ka emërtuar shumica ngjarjet ku nga falimenti njerëzit kanë vrarë veten. Dramaciteti është në rritje dhe kriza po gërryen si një lumë i dalë jashtë shtratit gjithçka që gjen të dobët. Tashmë nuk flitet për vetëvrasjet e punëtorëve që edhe pse “mbrohen” gjashtë muaj në fazën e parë të largimit të punës, mbeten në mes të rrugës pas përfundimit të mbrojtjes sociale.
E vërteta është se qeveria e emergjencës Monti po punon, por efektet janë të padukshme në këtë fushë dhe ende në fillim të kthesës. Natyrisht të pashkëputur nga efektet gërryese të krizës së italianëve, madje pse jo edhe më keq, janë emigrantët. Edhe pse ende shifra për vetëvrasje të drejtuesve të ndërmarrjeve të tyre (kryesisht të vogla me 3-5 punëtorë) nuk janë evidentuar, falimentimet e tyre janë edhe më të mëdha. Pak kohë më parë është raportuar se shifra e emigrantëve shqiptarë me punësim në Itali i kapi shifrën pesëqind mijë, kurse ndërmarrje të vogla të drejtuara prej tyre janë mbi 16 mijë.
Dhe të besosh se janë të krijuara me mundim dhe sforco të jashtëzakonshme, jo vetëm nën konkurrencë me vendas dhe të huaj, por edhe me një eksperiencë të ulët nga vendi ynë që dihet se është jashtë BE-së. Nuk ka shifra për vetëvrasje të tyre dhe ky është një ngushëllim, por nëse për vitin e kaluar në Itali u raportua se u shkatërruan mbi 60 mijë ndërmarrje prodhuese, natyrisht mes tyre janë edhe disa ndërmarrje me drejtues shqiptarë. Sa janë? Uroj të jenë sa më pak.
Por gjithsesi janë disa. Shumë shqiptarëve iu vra një pjesë e jetës që krijuan mes dhimbjes dhe dashurisë, por kanë një shpresë: Atdheun që gjithsesi i pret!. Kriza italiane i vrau edhe ata, por nuk i asgjësoi fizikisht si disa italianë që iu dorëzuan vetëvrasjes. 23 kolegë të tyre italianë u raportuan këtë të diel se që nga janari se u vetëvranë kurse shtypi u hap me një titull të vetëm: Vrasje nga shteti!
Kryeministri Mario Monti dhe ministrja e punës deklarojnë kokulur se nëse nuk kalon në parlament reforma jonë, edhe ne do të dorëhiqemi… Kohë krize, depresioni dhe pasigurie. Duhet të bëjmë kudo dhe kushdo më të mirën. Qeveria italiane dhe kryeministri nuk akuzojnë apo replikojnë përse i quajnë vrasës të sipërmarrësve. Nëse nuk arrijnë të bëjnë më të mirën që duhet, deklaruan se do të dorëhiqen dhe kanë fare pak kohë që po drejtojnë Italinë…