Ministrja Bregu: Vendi ynë, surprizë në ekonominë botërore
Instituti ndërkombëtar "Global Insight", në raportin e tij të fundit, e rendit Shqipërinë të parën në Evropë dhe të dhjetën në botë si vendin me rritjen më të lartë ekonomike. Në një kohë kur Shqipëria po përjeton ditë të vështira, kur leku është zhvlerësuar dhe çmimet janë rritur, qeveria ka lexuar me zë të lartë raportin e "Global Insight". Sipas zëdhënëses së Këshillit të Ministrave "është e rëndësishme për t‘u theksuar se kjo rritje ekonomike e Shqipërisë nuk ka ardhur si rezultat i vlerësimit të ndonjë malli të rrallë e specifik si nafta apo gazi në tregun botëror, siç ka ndodhur me Turkmenistanin që bën pjesë në dhjetëshe, por ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rezultatit të politikave të suksesshme ekonomike të qeverisë shqiptare". Duke iu referuar këtij fakti, zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu, konstatoi dje në një konferencë për mediat se ky klasifikim i ri konfirmon edhe një herë vlerësimin që organizatat më të mira ndërkombëtare i bëjnë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, që në krye të mandatit të saj. Sipas saj, raporti dëshmon se Shqipëria është shkëputur përfundimisht nga imazhi i keq i vendit të prapambetur, duke përcjellë tashmë imazhin real të një vendi në zhvillim. Zëdhënësja Bregu sqaroi se në një përfundim të tillë paralelisht me "Global Insight" kanë dalë edhe një serë institutesh e organizmash të tjerë ndërkombëtare si Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Departamenti Ekonomik e Social i Kombeve të Bashkuara, "The Economist", seksioni Inteligence Unit dhe Instituti Vienez për Studime Ndërkombëtare Ekonomike. "I ardhur vetëm pak kohë pas vlerësimeve të Bankës Botërore, e cila e shpalli Shqipërinë si vendin e dytë në botë për zhvillimin ekonomik dhe të ‘Trasparency International‘ që e renditi Shqipërinë të dhjetën në botë për luftën kundër korrupsionit, ky klasifikim i ri konfirmon edhe një herë vlerësimin që organizatat më të mira ndërkombëtare i bëjnë reformave të ndërmarra nga qeveria", tha Bregu. Sipas saj, "në një kohë kur e gjithë bota është e prekur nga kriza ekonomike, lajmi se Shqipëria shënon rritjen ekonomike më të madhe në Evropë, dëshmon edhe një herë se vendi ynë është vendi surprizë në ekonominë botërore".