E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Shqipëria në BE, brenda 2012

Anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO ka krijuar optimizëm në politikën shqiptare. Kjo ka bërë që ëndrra për të parë vendin tonë në Bashkimin Evropian të fillojë të ketë edhe një datë konkrete. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një vizite në Itali, deklaroi dje se "Shqipëria brenda 2012 do të hyjë në Bashkimin Evropian". Kreu i shtetit theksoi se reformat janë në rrugë të mbarë dhe ky është çelësi që i jep siguri këtij procesi. "Pas një muaji, Shqipëria do të hyjë me të drejta të plota në NATO. Çka do të thotë se vendi ofron të gjitha mundësitë ekonomike, por edhe garanton dhe të drejta për të gjithë rajonin e Ballkanit", u shpreh Presidenti Topi, cituar nga agjencia italiane e lajmeve ANSA. "Reformat e ndërmarra politike japin siguri se ditë pas dite mund të hymë me të gjitha të drejtat në Komunitetin Evropian", nënvizoi kreu i shtetit shqiptar. Topi këmbënguli se Shqipëria është në fazë tranzicioni, por gjasat janë pozitive dhe shqiptarët janë të sigurt në qëllimin e tyre për anëtarësimin në strukturat evropiane. Në fund të deklaratës së tij, Presidenti Topi falënderoi popullin italian për mikpritjen ndaj shqiptarëve. "Dua të falënderoj popullin italian për mikpritjen e dhënë ndaj shqiptarëve, të cilët janë integruar në jetën italiane, punojnë dhe studiojnë në këtë vend", theksoi Topi. Këto deklarime të kreut të shtetit u bënë gjatë vizitës që ai është duke zhvilluar në Itali. Dje ai bashkëbisedoi me personalitete të rëndësishme të provincës së Xhenovas. Topi zhvilloi bisedime në një atmosferë të ngrohtë e miqësore me presidentin e provincës së Xhenovas, Alesandro Repeto, presidentin e komitetit rajonal, Klaudio Burlando, me presidentin e Këshillit Rajonal të Ligurias, Xhakomo Ronciti, me presidentin e Këshillit Bashkiak, Xhorxho Guerelo dhe kryetaren e Bashkisë së Xhenovas, Marta Vinçenci. Në këto takime u theksua edhe një herë fryma e miqësisë shumë të mirë, që është zhvilluar tradicionalisht mes dy vendeve tona dhe u shpreh interesimi i përbashkët i palëve për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, me qëllim rritjen dhe nxitjen e mëtejshme të tij. Kreu i shtetit u shpreh edhe në emër të mbarë popullit shqiptar se marrëdhëniet me Italinë janë të shkëlqyera në të gjitha fushat, si marrëdhëniet dhe shkëmbimet e vizitave në nivelet më të larta politike, ashtu edhe ato ekonomike, tregtare dhe kulturore. Gjatë kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim të përzemërt edhe me përfaqësues të shumtë të bashkësisë shqiptare më të rëndësishme në Itali, që jeton në Xhenova dhe në Liguria, e cila arrin deri në tetëmbëdhjetë mijë vetë. Përfaqësuesit e kësaj bashkësie biseduan gjatë me Presidentin e Republikës, duke u ndalur e interesuar mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, reformat e kryera dhe arritjet e vendit tonë në proceset integruese. Dje në darkë, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, ishin të ftuar nga autoritetet më të larta të Ligurias dhe drejtuesi i mirënjohur artistik, Paolo Bonolis, në Teatrin Ariston, për të ndjekur natën finale të Festivalit të Këngës së Sanremos.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›