Një shqiptar dhe një grek arratisen me helikopter nga burgu i Pireut
Për të dytën herë në tre vjet, dy të burgosur u arratisën dje nga një burg i Greqisë. Një helikopter u hodhi atyre një litar në oborrin e burgut duke bërë të mundur ikjen e tyre. Ministri grek i Drejtësisë Nikos Dendias tha se nuk do të tolerojë atë që ai e cilësoi fyerje dhe pushoi nga puna disa zyrtarë të Ministrisë.
Të arratisurit, greku Vasilis Palekostas dhe shqiptari Alket Rizaj thuhet se u panë të ngjiten në helikopter përmes një shkalle të hedhur me litar nga një bashkëpunëtore e tyre. Pastaj helikopteri me të arratisurit u largua me shpejtësi nga burgu Koridallos i Pireut. Më vonë policia e gjeti helikopterin me pilotin e lidhur me gojë dhe trup. Të burgosurit u arratisën nga i njëjti burg në të njëjtën mënyrë tri vjet më parë.//lk