Ministrja Godo: “Dypunësimi i mjekëve, pse jo mjafton të mos abuzojnë”
Emanuela Sako
Abuzimet me tenderat dhe korrupsioni në shëndetësi do të jenë dy pikat më të forta të cilat do të luftojë Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Ministria e Shëndetësisë, ka përcaktuar objektivat e mëtejshme të realizimit të reformave në fushën e shëndetësisë. Ministrja e Shëndetësisë ka bërë publike strategjinë e re me të cilën do të drejtoj ministrinë pas largimit të ish- ministrit, Nard Ndoka. Ajo do të përballet me probleme të mëdha të shëndetësisë, e cila këtë vit ka qenë një nga sektorët më të përfolur dhe më problematik. Synimet e saj janë fokusuar në rishikimin e buxhetit, rishpërndarjen dhe ristrukturimin e strukturave drejtuese në QSUT dhe rrethe, përmirësimin e shërbimit në shëndetësi, nxitjen e projekteve ekzistuese, etj. Godo është shprehur se strukturat shtetërore duhet të kenë në kontroll të plotë aktivitetin privat e të penalizojmë rreptë shkeljen e ligjeve që përcaktojnë marrëdhëniet e sektorit privat dhe atij shtetëror.
Mjekët
Dypunësimi i mjekëve shpeshherë është parë si një ndër problemet kryesore që po e degradon shëndetësinë, pasi mjekët duke punuar në spitalet shtetërore dhe private i dërgojnë pacientët pranë klinikave të tyre private. Në këto klinika kushtet dhe shërbimi janë për t’u pasur zili nga sektori shtetëror. Por, ministrja Godo e ka cilësuar si çështje që nuk shkakton aspak problem, por duhet parë si një mundësi e mjekëve për të punuar për familjen e tyre. Ndërsa mungesa e mjekëve specialist në rrethe është një ndër problemet kryesore që duhet ndërhyrë, pasi rrethet e largëta të vendit kanë mungesë mjekësh dhe mungesë të kurimit. Godo ka vlerësuar si zgjidhje kryesore punësimin sezonal me kontratë të specialistëve të ndryshëm në ato zona. Ndërkohë që duhet bërë shumë kujdes në planifikimet që i dërgohen Ministrisë së Shëndetësisë nga rrethet. Ndërsa kontrata duhet të përmbajë elementë shtrëngues që t’i detyrojë mjekët specialistë të kthehen në rrethin që i ka dërguar për t’u specializuar.
Reforma
Ministrja Godo ka vënë theksin se mungesat në medikamente kanë ardhur për shkak të korrupsionit në disa shkallë të sistemit të shëndetësisë dhe problemet e mëdha që janë hasur për abuzime me tenderat në ministri dhe kryesisht me ato të medikamenteve.
”Por ajo që duhet të jetë një shqetësim i vërtetë, janë aferat korruptive që lëvizin nën ujë e që kanë të bëjnë me procedurat e tenderimit, prokurimit etj”,- theksoi Godo. Po kështu, ajo ka vënë në dukje se shpërndarja e buxhetit duhet të garantohet në një mënyrë që asnjë sektor i shëndetësisë të mos mbetet zbuluar, megjithëse theksoi se buxheti i akorduar për shëndetësinë është i pamjaftueshëm. Megjithëse ka nguruar të japë opinionin e saktë për punën e kryer nga paraardhësi i saj, ajo nuk e ka përjashtuar faktin se shëndetësia ka ngelur mjaft mbrapa me reformat dhe problemet që janë shfaqur këto kohë. Mungesën e medikamenteve, ajo e cilësoi si një gjendje emergjente të shëndetësisë dhe një krizë që duhet kapërcyer.
Tha për...
Tenderat
“Ajo që duhet të jetë një shqetësim i vërtetë për të gjithë ne, janë aferat korruptive që lëvizin nën ujë e që kanë të bëjnë me procedurat e tenderimit, prokurimit etj. Them se duhet të përqendrohen fort përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin në shëndetësi”.
Dypunsimi i mjekëve
“Zgjidhje të afërt do të shihja punësimin sezonal me kontratë të specialistëve të ndryshëm në ato zona. Për më tej duhet bërë shumë kujdes në planifikimet që i dërgohen MSH nga rrethet; kontrata duhet të përmbajë elementë shtrëngues që t'i detyrojë këta specialistë të kthehen në rrethin që i ka dërguar për t’u specializuar”.
Medikamentet
“Këtë vit në veçanti kemi qenë “zbuluar” pothuaj gjatë tërë vitit, për pjesën më të madhe të medikamenteve. Vit vërtetë i vështirë. Aktualisht jemi duke u përpjekur fort për të shtyrë e shpejtuar në maksimum prokurimet, etj. Jemi vetëshpallur në gjendje emergjence dhe falënderoj bashkëpunëtorët për impenjimin maksimal”.
Reformat
“Rishikim i buxhetit për një rishpërndarje me të efektshme; ristrukturimi i strukturave drejtuese në QSUT dhe rrethe, me qëllim për t'i gjetur çdo vendi profesionistin e duhur; Konsultime të vazhdueshme me personalitete të shëndetësisë, për të tërhequr idetë më të mira për procesin e reformimit; përgatitja e kapaciteteve për menaxhim shëndetësor; përpjekje për të tërhequr donacione e asistencë të përparuar, të domosdoshme në kushtet e një buxheti të pamjaftueshëm; nxitje e projekteve ekzistuese; rritja e cilësisë në shërbimet parësore; disiplinim i punës në tërësi; Bashkëpunim i ngushtë me strukturat universitare për të përmirësuar atributet”
Shpërndarja e mjekëve
“Zgjidhje të afërt do të shihja punësimin sezonal me kontratë të specialistëve të ndryshëm në ato zona. Për më tej duhet bërë shumë kujdes në planifikimet që i dërgohen MSH nga rrethet; kontrata duhet të përmbajë elementë shtrëngues që t'i detyrojë këta specialistë të kthehen në rrethin që i ka dërguar për t’u specializuar”.
14 Gusht 2008